Dëshmitari Sokol Bashota tha sot në Hagë se sa e mban mend që Kadri Veseli nuk ishte caktuar nga Shtabi i Përgjithshëm që të marrë pjesë në takimet në Rambuje.
“Në Rambuje kam degju por nuk e di nga kush më është thanë. E di që është përmend që është Veseli atje, por sa mbajë mend nuk ka qenë i caktuar me shku nga Shtabi i Përgjithshëm. Në çfarë forme ka shkuar nuk e di. Me kanë është konsultuar nuk e di, por me duket kam dëgjuar që ka qenë në Rambuje dhe informacion direkt për të nuk kam pas”, tha Bashota.
Përpara kësaj, Bashota tha se është informuar nga Bislim Zyrapi se Veseli duhet të shkojë jashtë vendit lidhur me detyrën e re në shërbimin e informimit.
“Me ka informu Bislim Zyrapi në kohë të lirë kur kemi bisedu ashtu se Veseli duhet me i taku shërbimet e huaja dhe me i marrë trajnimet e nevojshme për këtë detyrë për arsye se është një sektor i ri që po hynë në organizimin e UÇK-së dhe thjeshtë i duhet përgatitja e nevojshme për këtë fushë. Z. Veselin ma nuk e kam pa një kohë të gjatë”, tha ai. /Betimi per Drejtesi