Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se organet e drejtësisë duhet ta hetojnë Mimoza Kusari-Lilën, lidhur me audio-incizimin që u publikua në media, ku ajo dëgjohet duke biseduar me Milan Radojçiq, të akuzuarin kryesor për sulmin terrorist në Banjskë dhe të sanksionuarin nga ShBA’të.
Bajrami ka thënë se duhet të hetohen edhe se cilat kanë qenë kërkesat e Radojçiqit për Kryeministrin Albin Kurti, raporton Express.
“Sepse ne e kemi pa edhe rezultatin e atij koordinimi që ka qenë votimi në Kuvendin e Republikës së Kosovës i Listës Serbe për pagën minimale. Ne sot na duhet me ditë se cila është kostoja që Republika e jonë, e katandisur si mos më keq në këto vitet e pasluftës dhe pas pavarësisë në skenën ndërkombëtare që e ka marrë imazhin e agresorit dhe jo të viktimës që e ka pas, cila është kostoja që Republika e Kosovës e ka paguar si rezultat i këtij koordinimi me terrorristin Radojçiq”, ka deklaruar Bajrami në Kuvend.
Sipas saj, niveli i parë i përgjegjësisë për këtë çështje i takon Kurtit.
“Në emër të LDK’së kërkoj nga organet e drejtësisë të bëhet një hetim, të hetohet Mimoza Kusari-Lila, e cila ka leju me u bë mashë e Albin Kurtit, mirëpo niveli i parë i përgjegjësisë i takon atij, Shefit të Mimoza Kusarit, Kryeministrit Albin Kurti”, ka deklaruar tutje ajo.