Errol Musk, babai i miliarderit Elon Musk, ka komentuar mbi mosmarrëveshjet dhe luftën virale mes presidentit amerikan Donald Trump dhe djalit të tij, Elon Musk.
Duke folur për Reuters, Errol ka thënë se mosmarrëveshja mes tyre ka ardhur si shkak i pesë muajve stres intensiv dhe se kjo betejë publike duhet të ndalet sa më shpejt.
Errol Musk poashtu ka theksuar se në nxehtësinë e momentit njerëzit mund të mos mendojnë qartë, dhe se në botën reale shpesh duhet të bëhen kompromis.
“Elon u qëndron parimeve të tij, por nuk mund të qëndrosh gjithmonë pranë parimeve në botën reale,” ka thënë babai i Elon Musk.
I pyetur se si do të përfundojë gjithë situata, ai është përgjigjur duke thënë: “Oh, do të përfundojë mirë – shumë shpejt.”
Kujtojmë se, javën e kaluar, Trump dhe Musk nisën të shkëmbenin akuza dhe fyerje në rrjetet sociale, pas kritikave të Musk ndaj projektligjit të taksave dhe shpenzimeve të presidentit, të cilin e quajti “të neveritshëm”. Trump më pas reagoi duke deklaruar se marrëdhënia me Musk ka përfunduar dhe paralajmëroi “pasoja serioze” nëse Musk mbështet kandidatët demokratë që garojnë kundër republikanëve pro-ligjit.
Ndërkohë, Errol Musk ka folur për çështjen nga Moska, duke qenë pjesëmarrës i një konference dyditore të organizuar nga njëoligark rus me qëndrim pro-Putin. Nga atje sipas The Guardian, ai gjithashtu ka lavdëruar presidentin rus Vladimir Putin si një njeri “stabil dhe të këndshëm” dhe ka kritikuar mediat perëndimore për përhapjen e “gënjeshtrave” ndaj Rusisë.