Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, në një konferencë të mbajtur të enjtën ka thënë se faji i rritjes së madhe të çmimit të rrymës, është i Qeverisë së Kosovës dhe shokëve të kryeministrit, Albin Kurti.
Ai ka përmendur faturat e larta të energjisë elektrike, duke thënë se kjo po ndodhë për herë të dytë dhe se çmimi i energjisë elektrike është rritur dy herë gjatë mandatit të kësaj qeverie.
“Albin Kurti sa ishte në opozitë thoshte se qytetarët jetojnë mbi thëngjill dhe nuk është e drejtë të paguajnë kaq shtrenjtë energjinë elektrike.” – ka thënë ai.
Tutje, ai ka përmendur Martin Berishajn dhe Nagip Krasniqin.
“Blloku A5 i termocentralit Kosova A ishte mbajtur jashtë funksionit për muaj të tërë, që ua mundësoi shokëve të Albin Kurtit, Martin Berishaj e Nagip Krasniqi që ta shesin energjinë elektrike me shuma të mëdha.” – ka thënë ai.
“Kjo qeveri s’ka kapacitet dhe aftësi për të bërë më mirë sepse janë një grupacion i papërvoje që nuk kanë njohuri as për energji e as për diçka tjetër.”
Ai ka përmendur programin e LDK-së, “Rruga e re” si zgjidhje e problemeve në sektorin energjetik në Kosovë.
“Siç e kemi thënë edhe në programin tonë “Rruga e Re”, e shohim të pashmangshëm ndërtimin e centralit me gazin amerikan me kapacitet prej 500 megavatë. Gazimifikimin e Kosovës me gazin amerikan që do të vij nga Shkupi e do të shkojë deri në Mitrovicë.” – ka thënë ai, teksa ka ftuar ministren Artane Rizvanolli në debat televiziv për të diskutuar për energjinë.