“Diçka që nuk ka ndodhur për shumë vite”, po e bën Serbia sot, sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, i cili foli për “një zhvillim shumë pozitiv” të sotëm nga Beogradi. Heqja e ndalesës së mallrave serbe ia ka hapur Kosovës derën në CEFTA dhe Procesin e Berlinit, pas kërcënimeve nga Gjermania se vendi mund të përjashtohej. Ai vendim u mirëprit edhe nga Serbia.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi pret të takohet së shpejti me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, ndërsa konfirmoi se nesër do të takohet me emisarin e Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Zëvendëskryeministri foli për “një zhvillim shumë pozitiv” dhe një “punë konstruktive të Serbisë” sot, pasi Qeveria e Kosovës të hënën vendosi ta lejojë importin e mallrave serbe përmes pikëkalimit kryesor kufitar në Merdar. Heqja e kësaj ndalese ishte kushti i Gjermanisë që vendi të mos përjashtohej nga marrëveshja për tregti të lirë, CEFTA dhe nga Procesi i Berlinit. Emisari gjerman, Manuel Sarrazin ka ofruar që Kosova të përfaqësohet në CEFTA me emrin e saj dhe jo përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), në këmbim të heqjes së kësaj ndalese. Gjithsesi, ai ka theksuar se pranë emrit do të vendosej një yll ose fusnotë, që tregon se statusi i vendit nuk është zgjidhur përfundimisht.
“Sot, mu në Beograd, do të votohet, me propozim të palës serbe, që UNMIK-u përfundimisht të largohet nga përfaqësimi në CEFTA. Unë e shoh këtë si një zhvillim shumë pozitiv, sidomos meqë bëhet në Beograd, diçka që nuk ka ndodhur për shumë vite dhe shpresoj që kjo punë konstruktive e Serbisë e cila e kupton se realiteti ka ndryshuar, do të bartet pastaj edhe në dialog, në mënyrë që të bindin palët që Marrëveshja e Brukselit dhe ajo e Ohrit duhet të zbatohen në tërësi”, tha Bislimi në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin Albin Kurti.
Kurti përsëriti se “Kosova nuk ka masa tregtare ndaj Serbisë”. Ai tha se “bëhet fjalë për masa të sigurisë, kurrsesi për masa tregtare, siç janë përpjekur disa që të na i mveshin”, ndërsa tregoi se sot po mbahet një takim i CEFTA-s.
Bislimi konfirmoi aty se “Lajçak është duke punuar drejt caktimit të një takimi të radhës të kryenegociatorëve”. Tha se “nuk di kur do të jetë ky takim”, ndërsa tregoi se me diplomatin europian do ta zhvillojë një takim nesër. “Pastaj do të mund të dakordohemi se si ecet tutje”, tha ai.
Kryeministri i Serbisë të hënën e mirëpriti vendimin e Qeverisë së Kosovës për lejimin e mallrave serbe, duke konsideruar se ai e largon tensionin që ka ekzistuar për një kohë të gjatë.
Millosh Vuçeviq tha për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS) se e mbështet secilin veprim që ndikon në përmirësim të kushteve të jetesës për serbët në Kosovë.
“Është përpjekje e mirë e palës gjermane, e cila e ka vënë në pah fazën e re të marrëveshjes së CEFTA-s. Ne jemi gjithmonë gati për marrëveshje, nuk mendojmë që kompromiset janë të këqija, sidomos nëse krijojnë kushte më të mira për serbët në Kosovë”, tha ai nga Shkupi, ku qëndroi për një vizitë zyrtare.