Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka ironizuar me fjalimin e kryeministrit Kurti në Kuvend.
“Një gjë është e sigurt, kryeministri e ka pas fjalimin më të gjatë në historinë e parlamentarizimit. E pamë si drejtor i një ndërmarrje publike, e pamë si drejtor i spitalit në Pejë, e pamë si drejtor në çerdhe, e pamë si drejtor në stacion të Policisë, asnjëherë si kryministër. Sot si deputet të këtij Kuvendi kemi për detyrë të trajtojmë zotimet e bëra nga qeveria dhe përmbushjen e tyre në sektorët kyç të vendit tonë”, ka thënë Gashi, raporton Nacionale.
Gashi ia kujtoi premtimet që sipas tij, qeveria ka dështuar.
“Kishte premtuar shuarjen e Agjencisë së Privatizimit, privatizimi po vazhdon, kryeministri ka dështuar. Ke dështu me Bankën Zhvillimore. Ka premtuar skemën e punësimit të garantuar për të rinjtë, nuk është realizuar ke dështu. Ka premtuar revitalizimin e Trepçës nuk është realizuar, ke dështu. Siguria në punë, qeveria premtoi përmirësimin e kushteve të punës, pesëfishimin e inspektorëve, asnjë prej tyre nuk ka ndodhur”, tha Gashi.