Gjykata e Apelit ka marrë vendim, me të cilin ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë ndaj Edmond Lajqit, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Gj.U.
Gjykata Themelore në Pejë, më 27 dhjetor 2024, Lajqin e kishte shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, duke e dënuar me burgim të përjetshëm, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndaj vendimit të Themelores, ankesë kishte parashtruar mbrojtja e Lajqit, por që Apeli e refuzoi ankesën si të pabazuar, ndërsa vërtetoi aktgjykimin e shkallës së parë.
“Kolegji gjykues vlerëson se, aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është përfshirë në shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, të parapara në nenin 384 të KPPK, për të cilat shkelje përkujdeset kolegji i kësaj gjykate edhe sipas dispozitës ligjore nga neni 394 të KPPK, si dhe vlerëson se gjykata e shkallës së parë ka paraqitur arsye të qarta dhe të plota duke dhënë arsye të duhura se cilat fakte konsiderohen të vërtetuara në këtë çështje penale, përkitazi me veprat penale të cilat i vihen në barrë të akuzuarit, e po ashtu ka paraqitur saktësinë e provave nga shkresat e lëndës, sikurse janë provat personale dhe ato materiale”, thuhet në njoftimin e Apelit.
Ndërsa, sa i përket pretendimeve ankimore lidhur me shkeljen e Ligjit Penal, Apeli vlerëson se shkalla e parë në mënyrë të plotë dhe të drejtë ka vërtetuar ekzistimin e secilës vepër penale, pasi që ka vlerësuar të gjitha provat sikurse ato personale e po ashtu edhe ato materiale, e posaçërisht pranimin e fajësisë së të akuzuarit, për veprat penale të cilat i vihen në barrë.
Andaj, kolegji gjykues vlerëson se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë ka vendosur kur të akuzuarin e ka shpallur fajtor, pasi që nuk ekzistojnë rrethana që e përjashtojnë të akuzuarin nga përgjegjësia penale si dhe ndjekja penale.
“Duke i vlerësuar të gjitha rrethanat e përshkruara si në këtë aktgjykim, kolegji gjykues është i bindur se me dënimin e shqiptuar me burgim të përjetshëm sikurse në dispozitiv të aktgjykimit, do të arrihet efekti dhe qëllimi i tij, që të parandalojë kryerësit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e tij, të parandalojë personat e tjerë nga kryerja e veprave penale, të bëjë kompensimin e viktimave ose të komunitetit për humbjet ose dëmet e shkaktuara nga vepra penale dhe të shprehë gjykimin shoqëror për veprën penale, ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit, të paraparë në nenin 38 të KPK”, njofton Apeli.
Në seancën fillestare të mbajtur më 24 dhjetor 2024 i akuzuari Lajqi kishte pranuar fajësinë për vrasjen e gruas së tij në prill të këtij viti.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë, më 19 nëntor 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Edmond Lajqit, i cili akuzohet se më 16 prill 2024 ka vrarë bashkëshorten e tij në Pejë.
Në dosjen e Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Lajqi akuzohet për vrasjen e gruas së tij tani të ndjerës Gj.U., e i cili pas aktit të vrasjes ishte paraqitur vetë në Polici duke iu thënë “e vrava gruan dhe çoje një patrullë të Policisë”.
Në aktakuzë thuhet se më 16 prill 2024, rreth orës 08:00, në Pejë, në rrugën “Bill Klinton” e pikërisht në banesën e tij, i pandehuri me dashje dhe me armë – pistoletë e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën Gj.U.
Gjithnjë sipas aktakuzës, për shkak të problemeve të vazhdueshme që i kishte pasur i pandehuri me viktimën Gj., ku i njëjti kishte ushtruar edhe dhunë psiqike ndaj viktimës, një ditë para ditës kritike i pandehuri ka shkuar në Spital ku ka qëndruar me nënën e tij e cila ka qenë duke u trajtuar nga një sëmundje, dhe në mëngjes i pandehuri është kthyer në banesë ku prezent ka qenë vajza e tyre T., dhe me qëllim që i pandehuri të mbetej vetëm me viktimën, ka kërkuar nga vajza e tyre T., të shkonte në dyqan për të blerë diçka.
Me ç’rast, thuhet derisa viktima ka qenë duke qëndruar ulur në krevatin e sallonit të banesës, i pandehuri ka shtënë në drejtim të viktimës.
“I pandehuri me armën e lartcekur ka shtënë një herë në drejtim të viktimës, duke e qëlluar në pjesën ballore të kokës, si pasojë e kësaj të shtënë është shkaktuar vdekja e menjëhershme e viktimës e cila është konstatuar si në raportin e Mjekësisë Ligjore, kurse i pandehuri pas vrasjes largohet nga vendi i ngjarjes dhe paraqitet në Stacionin Policor të Pejës, ku të njëjtit i njofton zyrtarët policorë, duke ju thënë “e vrava gruan dhe çoje një patrullë të Policisë””, thuhet në aktakuzë.
Për këtë veprim, i pandehuri Lajqi ngarkohet për kryerën e veprës penale “Vrasje të rëndë”, nga neni 173, par. 1, pika 1.3 të Kodit Penal.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Lajqi ka mbajtur në pronësi dhe kontroll armën- pistoletën model “Zoraki 917-T” me karikator, në atë mënyrë që me të ka privuar nga jeta viktimën – bashkëshorten e tij Gj.U.
Andaj, i njëjti ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal. aaaaa