Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritero Arifi, ka komentuar paraqitjen e kryeministrit Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ai ka bërë me dije se shefi i ekzekutivit ka dalë fitues ndaj Serbisë, por jo edhe ndaj SHBA-së.
Sipas tij, kritika amerikane për çështjen e dinarit serb ishin një goditje për Kosovën.
“Kurti doli fitues ndaj Serbisë, por jo ndaj ShBA-së. ShBA-ja publikisht e qortuan vendimin e Qeverisë së Kosovës dhe kërkuan që të pezullohet. Ishte një fjalim i definuar qartë, pra pa dorëza diplomatike. Është një goditje për Qeverinë Kurti në këtë aspekt, sepse po flasim për takimin e Këshillit të Sigurimit dhe kur ShBA kërkon një gjë të tillë tashmë imagjinoje edhe vendet që nuk e kanë njohur Kosovën se si e shohin këtë vendim”, ka thënë Arifi në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Ai ka vlerësuar se Kosova duhet të marrë mësim nga kjo mbledhje.
“Shpresoj që e kanë kuptuar mësimin që politikat sado që i duken lokale dhe populiste në Kosovë mund të kenë reflektim te partnerët tanë dhe te politika globale. Prandaj, Kosova është vend i veçantë, kjo nuk është për së koti”, është shprehur Arifi.