Fareed Zakaria
Shumica e amerikanëve mendojnë se vendi i tyre është në rënie. Sipas një studimi të zhvilluar në vitin 2018 nga Qendra Kërkimore Pew, pyetjes se si e shihnin vendin e tyre më 2050, 54 përqind e të anketuarve u shprehën se ekonomia e ShBA-së do të jetë më e dobët. Një shifër më e lartë pjesëmarrësish, 60 përqind e tyre u shprehën se Shtetet e Bashkuara do të kishin më pak rëndësi në nivel global.
Kjo nuk duhet të na çudisë; ka kohë që ndjesia se vendi ka marrë drejtim të gabuar po mbizotëron perceptimin politik. Sipas një sondazhi me kohëzgjatje të konsiderueshme të Gallup-it, amerikanët “e kënaqur” me mënyrën se si gjërat po shkojnë, nuk e ka kaluar shifrën 50 përqind këto 20 vjet. Aktualisht është vetëm 20 përqind.
https://a844916c382531a8dcf3b2735ca5e8a2.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-40/html/container.html Për dekada me radhë, një mënyrë e të kuptuarit se kush do të ishte presidenti i ardhshëm ishte pyetja: Kush është kandidati më optimist? Nga John F. Kennedy te Ronald Reagan e Barack Obama, bileta fituese dukej se ishte pamja solare.
Por, në vitin 2016, Shtetet e Bashkuara zgjodhën një politikan, fushata e të cilit ishte ndërtuar mbi pesimizëm dhe dëshpërim. Donald Trump thoshte se ekonomia amerikane ishte në “gjendje të mjerueshme”, se Shtetet e Bashkuara “nuk respektoheshin, por talleshin e grabiteshin” jashtë vendit dhe se bota “kishte marrë tatëpjetën”. Në fjalimin e tij inaugurues, ai foli për “kërdinë amerikane”.
Fushata që ai po zhvillon momentalisht, në thelb bazohet mbi këto koncepte. Tre muaj para se të shpallte kandidaturën e tij, ai publikoi një video të titulluar “Një komb në rënie”.
Fushata presidenciale e vitit 2020 e Joe Bident ishte shumë më tradicionale. Ai lartësonte Shtetet e Bashkuara dhe shpesh përsëriste atë frazën e njohur: “Na presin ditë më të bukura”.
Megjithatë, strategjia e tij qeverisëse është mbështetur në nocionin se vendi ka ndjekur rrugën e gabuar, edhe kur drejtohej nga presidentë demokratë, madje edhe gjatë qeverisjes Obama-Biden. Në një fjalim të prillit të këtij viti, këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, kritikoi “shumicën e politikave ndërkombëtare ekonomike të dekadave të fundit”, duke fajësuar globalizimin dhe liberalizimin për zbrazjen e bazës industriale të vendit, për eksportimin e vendeve të punës amerikane, si dhe për dobësimin e disa industrive kryesore.
Më vonë, ai shqetësohej se “megjithëse Shtetet e Bashkuara mbeten fuqia parësore botërore, disa nga muskujt më jetikë të saj janë atrofizuar“. Kjo është një kritikë e njohur e epokës neoliberale, gjatë së cilës disa përparuan, por shumë mbetën pas.
Por, kjo nuk është thjeshtë kritikë. Shumë nga politikat e administratës Biden synojnë të korrigjojnë zbrazjen e dukshme të Shteteve të Bashkuara, duke promovuar logjikën që industritë dhe populli duhet të mbrohen dhe të ndihmohen me tarifa, subvencione dhe lloje të tjera mbështetjeje. Pjesërisht, kjo qasje mund të jetë një përgjigje politike ndaj faktit se disa nga amerikanët e mbetur prapa jetojnë në shtetet me vota të luhatura dhe vendimtare për zgjedhjet, çfarë e bën të nevojshme që ata të merren me të mirë.
Por, zgjidhjet nuk janë veç joshje politike; ato janë përfshirëse dhe kanë pasoja. Që nga Akti i Smoot-Hawley i vitit 1930, Shtetet e Bashkuara vijojnë të kenë tarifat më të larta mbi importet. Politikat ekonomike të Uashingtonit bëhen gjithnjë e më defensive, të hartuara për të mbrojtur një vend që presupozohet të ketë humbur terren dekadat e fundit.
Pra, një strategji parësore e ShBA-së do ta çojë vendin e botën në rrugë pa krye, pasi bazohet në supozime të gabuara. Edhe me masat e marra, Shtetet e Bashkuara vijojnë të jenë në një pozicion kryesues, kur krahasohen me konkurrentët dhe rivalët e saj më të mëdhenj.
Megjithatë, ShBA-ja është përballë një tabloje ndërkombëtare shumë të ndryshme. Fuqia dhe vetëbesimi i shumë shteteve në mbarë botën është rritur. Ata nuk i pranojnë më direktivat amerikane në heshtje. Disa prej tyre kërkojnë në mënyrë aktive të sfidojnë pozicionin dominues të Shteteve të Bashkuara dhe rendin që është ndërtuar rreth tij.
Në këto rrethana të reja, Uashingtonit i duhet një strategji e re, një strategji që zhvillohet mbi të kuptuarit se ShBA-ja mbetet një fuqi imponuese, por që vepron në një botë shumë më angazhuese. Sfida e Uashingtonit është të përparojë me shpejtësi, por jo me frikë. Sepse, për momentin, ShBA është kapluar nga paniku dhe dyshimi tek vetja.
Ende lider
Përtej diskutimeve mbi mosfunksionimin dhe rënien e Amerikës, e vërteta është krejt ndryshe, veçanërisht kur ShBA-ja krahasohet me vendet e tjera të pasura. Në vitin 1990, të ardhurat për frymë të Shteteve të Bashkuara (të matura në terma të fuqisë blerëse) ishin 17 përqind më të larta se ato të Japonisë dhe 24 përqind më të larta se ato të Evropës Perëndimore. Sot janë, përkatësisht, 54 përqind dhe 32 përqind më të larta.
Në vitin 2008, duke marrë për bazë çmimet aktuale, ekonomia amerikane dhe ajo e Eurozonës ishin afërsisht të njëjta. Ekonomia e ShBA-së tani është gati dy herë më e madhe se ajo e Eurozonës.
Ata që fajësojnë politikat e Uashingtonit për dekadat e stagnimit amerikan, mund t’u bëhet pyetja: “Me cilën nga ekonomitë e përparuara e 30 viteve të fundit, do të dëshironit që t’i ndërronit Shtetet e Bashkuara?”
Amerika është në një pozicion të jashtëzakonshëm edhe për sa i përket forcës. Historiani ekonomik Angus Maddison thotë se superfuqia botërore e një periudhe është zakonisht ajo që ka epërsinë më të madhe në teknologjitë më të rëndësishme të kohës, si Holanda në shekullin XVII, Mbretëria e Bashkuar në shekullin XIX dhe Shtetet e Bashkuara në shekullin XX.
Amerika në shekullin XXI mund të jetë edhe më e fortë se në shekullin e kaluar. Për shembull, le të krahasojmë pozitat e saj në vitet 1970 dhe 1980 me të sotshmet. Kompanitë më të rëndësishme teknologjike të asaj kohe – prodhuesit e pajisjeve elektronike, të makinave dhe të kompjuterëve – gjendeshin në Shtetet e Bashkuara, Gjermani, Japoni, Holandë dhe Korenë e Jugut.
Në vitin 1989, katër prej dhjetë kompanitë me më shumë vlerë në botë ishin amerikane, ndërsa gjashtë të tjerat ishin japoneze. Sot, nëntë në dhjetë janë amerikane.
Për më tepër, dhjetë kompanitë amerikane me vlerë më të lartë të teknologjisë e kanë kapitalin total të tregut më të madh se vlera e tregjeve të aksioneve të Kanadasë, Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar marra së bashku. Dhe, nëse Shtetet e Bashkuara dominojnë plotësisht teknologjitë e së tashmes – të përqendruara në dixhitalizim dhe internet – gjasat që të ketë sukses në industritë e së ardhmes, si inteligjenca artificiale dhe bioinxhinieria janë të larta.
Vetëm në vitin 2023, Shtetet e Bashkuara kanë alokuar 26 miliardë dollarë kapital për sipërmarrjet startapet e inteligjencës artificiale (AI), rreth gjashtë herë më e lartë se Kina që renditet e dyta. Në bioteknologji, Amerika e Veriut arrin 38 përqind të të ardhurave globale, ndërsa e gjithë Azia e marrë bashkë kap 24 përqind.
Përveç kësaj, Shtetet e Bashkuara kryeson në atë fushë që ka qenë historikisht veçori dalluese e forcës së një kombi – në energji. Sot, ShBA-ja është prodhuesi më i madh i naftës dhe gazit në botë, më i madh edhe se Rusia apo Arabia Saudite. Shtetet e Bashkuara, gjithashtu, po rrisin në mënyrë domethënëse prodhimin e energjisë së gjelbër, pjesërisht falë stimujve të përfshira në Ligjin e vitit 2022 për uljen e inflacionit.
Për sa i përket financave, mjafton të shihet lista e bankave të përcaktuara si “të rëndësishme në nivel global e të sistemit” nga Bordi i Stabilitetit Financiar, një organ mbikëqyrës i vendosur në Zvicër; Shtetet e Bashkuara kanë dy herë më shumë banka të tilla se Kina që renditet e dyta. Dollari vijon të jetë monedha e përdorur në pothuajse 90 përqind të transaksioneve ndërkombëtare. Edhe pse rezervat e dollarit në bankat qendrore, gjatë 20 viteve të fundit, kanë rënë, asnjë monedhë tjetër nuk i afrohet.
https://a844916c382531a8dcf3b2735ca5e8a2.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-40/html/container.html Po ashtu, Shtetet e Bashkuara pritet të jetë fatlume edhe nga pikëpamja demografike. Në mesin e ekonomive të përparuara botërore, ajo është e vetmja me një profil të shëndetshëm demografik, me gjithë përkeqësimet e viteve të fundit. Shkalla e fertilitetit në ShBA tani është rreth 1.7 fëmijë për grua, gjithsesi nën nivelin e zëvendësimit 2.1. Por, kjo është një statistikë krahasimisht e favorshme përballë shifrës 1.5 në Gjermani, 1.1 në Kinën dhe 0.8 në Korenë e Jugut.
Për më tepër, Shtetet e Bashkuara e kompensojnë lindshmërinë e ulët me imigrim dhe asimilim të suksesshëm. Vendi pranon rreth një milion emigrantë të ligjshëm çdo vit, një numër që ra gjatë viteve të Trumpit dhe koronavirusit, por që është rikuperuar. Një në pesë persona që jeton jashtë vendit të lindjes, jeton në Shtetet e Bashkuara dhe popullsia e emigrantëve të saj është gati katër herë më e madhe se ajo e Gjermanisë, qendra tjetër më e madhe e imigracionit.
Për këtë arsye, teksa Kina, Japonia dhe Evropa parashikohet që në dekadat e ardhshme të përjetojnë rënie të popullsisë, Shtetet e Bashkuara pritet të vazhdojnë të rriten.
Sigurisht, Shtetet e Bashkuara kanë shumë probleme. Cili vend nuk ka? Por, ajo i ka burimet që t’i zgjidhë këto probleme shumë më lehtë se shumica e vendeve të tjera. Rënia e nivelit të lindshmërisë në Kinë, pra ndikimi i politikave për një fëmijë të vetëm nuk po duket se mund të ndryshojë, pavarësisht të gjithë mënyrave të nxitjes nga qeveria. Dhe meqë qeveria dëshiron të ruajë një kulturë monolite, vendi nuk pranon emigrantë për ta kompensuar këtë.
Por, problemet e Shteteve të Bashkuara shpesh e kanë zgjidhjen gati. Vendi ka një ngarkesë të lartë borxhi dhe deficite në rritje. Por, barra tatimore në total është më e ulët se në vendet e tjera të pasura. Qeveria e ShBA-së mund të mbledhë të ardhura të mjaftueshme për të stabilizuar financat e veta, duke mbajtur norma tatimore relativisht të ulëta.
Një hap i lehtë do të ishte miratimi i një lloj tatimi mbi vlerën e shtuar. Një version i TVSh-së ekziston në çdo ekonomi tjetër të madhe në mbarë globin, shpesh me norma rreth 20 përqind. Zyra e Buxhetit të Kongresit ka vlerësuar se një TVSH prej pesë për qind do të mblidhte tre trilionë dollarë gjatë një dekade dhe një normë më e lartë padyshim do të mblidhte.
Pra, këto nuk duken si shenja mosfunksionimi strukturor të pariparueshëm që do të çojnë në mënyrë të pashmangshme në kolaps.
Mes botëve
Pavarësisht fuqisë së saj, Shtetet e Bashkuara nuk udhëheqin më një botë njëpolare. Në vitet 1990, ShBA-ja nuk kishte konkurrentë gjeopolitikë. Bashkimi Sovjetik po shembej (dhe pasardhësi i tij, Rusia, do të kishte problemet e veta), ndërsa Kina ishte ende një foshnje në skenën ndërkombëtare dhe gjeneronte më pak se dy përqind të PBB-së globale.
Çfarë nuk mund të bënte Uashingtoni asokohe! Për të çliruar Kuvajtin, ai luftoi kundër Irakut me mbështetje të gjerë ndërkombëtare, duke përfshirë miratimin diplomatik të Moskës. I dha fund luftërave në ish-Jugosllavi. Bëri Organizatën për Çlirimin e Palestinës të hiqte dorë nga terrorizmi dhe të njihte Izraelin, ndërsa bindi kryeministrin izraelit, Yitzhak Rabin, të bënte paqe dhe të shtrëngonte duart në oborrin e Shtëpisë së Bardhë me liderin e PLO-së, Yasser Arafat.
Në vitin 1994, edhe Koreja e Veriut dukej e gatshme t’i bindej Amerikës dhe t’i jepte fund programit të saj të armëve bërthamore (një lëkundje e çastit drejt një bashkëpunimi nga i cili Koreja hoqi dorë shpejt). Kur krizat financiare goditën Meksikën më 1994 dhe vendet e Azisë Lindore më 1997, Shtetet e Bashkuara e zgjidhën me organizimin e paketave të shpëtimit. Të gjitha rrugët të çonin në Uashington.
Sot, Shtetet e Bashkuara përballen me një botë me konkurrentë të vërtetë dhe mjaft vende të tjera që mbrojnë me forcë interesat e tyre, që shpesh bien në kundërshtim me Uashingtonin.
Për të kuptuar dinamikat e tashme, të mos fokusohemi te Rusia apo Kina, por te Turqia. Tridhjetë vjet më parë, Turqia ishte një aleate e bindur e ShBA-së, e varur nga Uashingtoni për sigurinë dhe përparimin e vet. Sa herë Turqia përballej me një tjetër prej krizave të saj ekonomike, Shtetet e Bashkuara e ndihmonin dhe e shpëtonin. Sot, Turqia është një vend shumë më i pasur dhe më i pjekur politikisht, i udhëhequr nga një udhëheqës i fortë, popullor dhe populist, Recep Tayyip Erdoğan. Ai në mënyrë periodike sfidon Shtetet e Bashkuara, edhe kur kërkesat bëhen në nivelet më të larta.
Uashingtoni nuk ishte i përgatitur për këtë ndryshim. Në vitin 2003, Shtetet e Bashkuara planifikuan pushtimin me dy fronte të Irakut – nga Kuvajti në jug dhe nga Turqia në veri – pa marrë pëlqimin e Turqisë paraprakisht, me idenë se do ta merrte miratimin e vendit siç kishte bërë gjithmonë. Në fakt, kur Pentagoni ia kërkoi, Parlamenti turk e kundërshtoi dhe pushtimi u ndërmor me nxitim dhe pa planifikim, çfarë mund të ketë të bëjë me mënyrën se si gjërat shkuan më pas. Në vitin 2017, Turqia nënshkroi një marrëveshje për të blerë një sistem raketor nga Rusia, një veprim i papranueshëm për një anëtar të NATO-s. Dy vjet më vonë, Turqia i ra Shteteve të Bashkuara ndesh sërish, duke sulmuar forcat kurde në Siri, aleatët amerikanë që sapo kishin ndihmuar në mposhtjen e Shtetit Islamik atje.
Studiuesit vijojnë debatin nëse bota është unipolare, bipolare apo multipolare, secili me argumente të qenësishme në favorin e vet. por Shtetet e Bashkuara mbeten vendi më i fortë dhe i vetmi kur i referohemi forcës së mirëfilltë. Për shembull, ShBA ka 11 aeroplanmbajtëse në veprim, krahasuar me dy të Kinës.
Nga ana tjetër, kur merret parasysh rritja e vendeve si India, Arabia Saudite dhe Turqia, mund të mbrohet teza se bota është multipolare. Megjithatë, Kina është padyshim fuqia e dytë më e madhe dhe hendeku midis dy vendeve të para dhe pjesës tjetër të botës është i qenësishëm: ekonomia e Kinës dhe shpenzimet e saj ushtarake i tejkalojnë ato të tri vendeve të renditura pas saj të marra së bashku.
Hendeku midis dy të parëve dhe të gjithë të tjerëve ishte parimi që e shtyu studiuesin Hans Morgenthau të popullarizonte termin “bipolaritet” pas Luftës së Dytë Botërore. Me rënien e fuqisë ekonomike dhe ushtarake të Britanisë, ai mbronte se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik ishin dyshja që vinte para të gjithë vendeve të tjera. Sipas kësaj logjike, mund të arrihet në përfundimin se bota është përsëri bipolare.
Por, fuqia e Kinës ka kufij që shkojnë përtej demografisë. Ajo ka vetëm një aleat përmes një traktati, Korenë e Veriut dhe një numër të vogël aleatësh informalë, si Rusia e Pakistani.
Shtetet e Bashkuara kanë dhjetëra aleatë. Në Lindjen e Mesme, Kina nuk është fort aktive, pavarësisht një suksesi së fundi në ndërmjetësimin e rivendosjes së marrëdhënieve midis Iranit dhe Arabisë Saudite. Në Azi, Kina është ekonomikisht e kudondodhur, por gjithashtu merr vazhdimisht reagime nga vende si Australia, India, Japonia dhe Koreja e Jugut.
Dhe, në vitet e fundit, vendet perëndimore janë bërë të kujdesshëm ndaj fuqisë në rritje të Kinës në teknologji dhe ekonomi dhe janë vënë në lëvizje që t’ia kufizojnë aksesin.
Shembulli i Kinës tregon se fuqia dhe ndikimi nuk janë e njëjta gjë. Fuqia përbëhet nga burime të mirëfillta ekonomike, teknologjike dhe ushtarake. Ndikimi është më pak i prekshëm. Është aftësia për të bërë një vend tjetër të bëjë diçka që përndryshe nuk do ta kishte bërë. E thënë në mënyrë të vrazhdë, i referohet formësimit të politikave të një vendi tjetër sipas preferencave të tua. Kjo është pika fokale e fuqisë: përkthimi i saj në ndikim. Dhe, sipas kësaj njësie matëse, si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Kina përballen me kufizime të pafundme.
Shumë vende janë rritur në aspektin e burimeve, duke ushqyer vetëbesimin, krenarinë dhe nacionalizmat e tyre. E, ka të ngjarë që ata të afirmojnë veten më fuqimisht në skenën botërore. Kjo është e vërtetë për vendet më të vogla në afërsi të Kinës, por edhe për shumë vende që kanë qenë prej kohësh nën ndikimin e Shteteve të Bashkuara.
Dhe, ekziston një klasë e re fuqish të mesme, si Brazili, India dhe Indonezia, që po përpiqen të gjejnë strategjitë e veta dalluese. Nën kryeministrin Narendra Modi, India ka ndjekur një politikë “rreshtimi të shumëfishtë”, duke zgjedhur kur dhe ku t’i bashkohet herë kauzave të Rusisë, herë Shteteve të Bashkuara. Në grupimin BRICS,-it ajo madje është rreshtuar përkrah Kinës, një vend me të cilin është përfshirë në përleshje vdekjeprurëse kufitare deri në vitin 2020.
Në një artikull të vitit 1999 në Foreign Affairs të titulluar Superfuqia e vetmuar, politikologu Samuel Huntington u përpoq të shihte përtej unipolaritetit dhe të përshkruante rendin botëror që po formësohej. Termi që ai prezantoi ishte “uni-multipolar“, një ndryshim jashtëzakonisht rrënjësor i frazës, por që përcillte diçka të vërtetë.
Në vitin 2008, kur po përpiqesha të përshkruaj realitetin e ri, përdora fjalët një “botë post-amerikane” sepse më pati tërhequr vëmendjen se si veçoria përbashkuese e vendeve ishte se të gjithë po përpiqeshin të rrinin mbi ujë, ndërsa unipolariteti i ShBA-së kishte filluar të zbehej.
Kjo duket se është ende mënyra më e mirë për të përshkruar sistemin ndërkombëtar. /Përktheu: Gazeta “Dita”/