Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka thënë se për vite me radhë dy banka në Gjermani e kanë lidhur Kosovën me Serbinë ose e kanë prezantuar si pjesë të saj.
Mirëpo Ajeti thotë se kjo gjë nuk do të ndodhë më pasi emri i Kosovës figuron ashtu siç duhet.
“Falë reagimit dhe angazhimit tonë, si dhe bashkëpunimit me këto institucione bankare, Republika e Kosovës tashmë nuk figuron dhe nuk do të lidhet më në asnjë mënyrë me Serbinë, siç mund të vërehet edhe nga dëshmitë përkatëse.”
Ai ka shtuar se nëse dikush ka parë ndonjë kompani apo institucion gjerman ku Republika e Kosovës nuk paraqitet në mënyrë korrekte, ta kontaktojë ambasadën atje.
“Nëse keni hasur në ndonjë institucion apo kompani gjermane, në të cilin Republika e Kosovës nuk paraqitet në mënyrë të drejtë dhe korrekte, ju lutemi të na shkruani në embassy.germany@rks-gov.net, duke bashkëngjitur dëshmitë përkatëse, në mënyrë që të mund të korrigjohen gabimet e tilla.”
Ai ka publikuar edhe fotografi ku shihet se si ka figuruar Kosova para dhe pas reagimit.