Ali Ahmeti, udhëheqës i Bashkimit Demokratik për Integrim, partisë më të madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, e ka thyer akullin në lidhje me interesimin e Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës, për zgjedhjet në shtetin fqinj. Në intervistën në Top Channel, Ahmeti për herë të parë dukej më i drejtpërdrejtë karshi Kurtit. Çka tha Ali Ahmeti?
Që në krye të herës, Ahmeti e bëri një dallim në mes Kurtit dhe Edi Ramës, kryeministër i Shqipërisë, duke deklaruar se Rama nuk ka ndërhyrë asnjëherë në “organizimin politik në Maqedoni”.
“S’është puna për fushatë për Albin Kurtin. Edi Rama nuk ka ndërhyrë asnjëherë në punët e brendshme të organizimit politik në Maqedoni. Përherë ka bërë përpjekje për t’i ofruar partitë politike në Maqedoninë dhe sigurisht unë jam falenderues, mirënjohës për këtë qasje që ai ka pasur.” – deklaroi ai.https://www.youtube.com/embed/Trj0JQj_1F0?si=o4LBhZEoXsHXL-kC
Ndërsa moderatorja Grida Duma e pyet nëse ka pasur momente kur kryeministri kosovar ka ndërhyrë në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut.
“Natyrisht që ka pasur, p.sh. kur ka ndodhur rasti për zgjedhjet presidenciale, zoti Kurti mbajti anë. Doli në përkrahje të një pjese të partive politike në Maqedoni, edhe pse kjo ishte një marrëveshje për zgjedhjet presidenciale, në mbështetje të një presidenti konsensual, që ishte zoti Pendarovski në atëkohë, para pesë vitesh dhe ne nuk e kemi bërë në mënyrë niave dhe as nuk kemi shprehur patriotizëm emocional apo folklorik, por jemi dakorduar me zotin Pendarovski për detyrimet që do t’i ketë” – deklaroi ai.
Tutje, Ahmeti është ankuar se Kurti e ka vendosur në pozitë goxha të vështirë, teksa e ka shtruar edhe një pyetje, që më shumë dukej pyetje retorike.
“Unë nuk e di që ka regjistruar parti, e di që shumë nga komuniteti ndërkombëtar kanë shprehur interesim për çfarë arsye z. Kurti ka nevojë të mbajë parti politike në Maqedoni, por kamë thënë se tani kjo është demokracia. Më kanë vendos në një situatë goxha të vështirë, por mirë atëherë pse z.Kurti ankohet kur Vuçiq bën aktivitete politike në Kosovë. Si na shpjegoni ju ne këtë punë? Më kanë lënë gati edhe pa tekst me shumë pyetje”, tha Ahmeti në Top Channel.
“Nuk kam kërkuar mbështetje nga Shqipëria dhe Kosova, kam pasur kontakt me të gjitha partitë, por në radhë të parë me shtetin.” – shtoi ai.
Sjellim ndërmend që Kurti ka një kohë që është interesuar në lidhje me zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut. Gjatë vitit të kaluar, Kurti ishte në një vizitë private, pra jo në cilësinë e kryeministrit të Kosovës, në Maqedoni të Veriut, ku takoi disa liderë të opozitës, të cilët do të garojnë kundër Ahmetit në zgjedhjet e majit.
Një vizitë e tillë kishte prodhuar shumë reagime, edhe nga partitë maqedone, ndërsa organizata “Diaspora e Bashkuar Maqedonase” e kishte konsideruar një vizitë të tillë si “grusht të shtetit” dhe kishte kërkuar që Kurti të shpallej person “non-grata”.