Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se këtë vit Kosova do ta kalojë, për herë të parë, deficitin tregtar prej 5 miliardë euro në vit.
“Jemi pak muaj larg para se Kosova, për herë të parë në gjithë historinë e saj, të kaloj deficitin tregtar prej plot 5 miliardë eurove në vit. Kaq është diferenca mes mallrave që i blejmë dhe atyre që i shesim. 5 miliardë euro blejmë më shumë se sa që shesim – në një vit. Rreth 50-60 miliardë euro për 10 vitet e ardhshme me këtë trend.”
Ai ka shtuar se Kosova nuk po prodhon e as nuk po krijon, dhe sipas tij kjo është rezultat i ekonomisë kryeministrit Kurti.
Abdixhiku thotë se “qeveria populliste dhe Kurti” nuk e kuptojnë ekonominë.
Ai ka shkruar se për katër vjet, deficiti tregtar është rritur nga 2.8 miliardë në 5.2 miliardë euro.
“Paaftësia kushton. Investime nuk ka. Projekte të mëdha nuk ka. Bizneset janë shtypur e varësia në import po thellohet secilin muaj. Qeveria populliste dhe Kurti nuk e kuptojnë ekonominë. Kaq dijnë, kaq bëjnë. Këta për katër vite kanë rritur deficitin tregtar nga 2.8 miliardë euro në plot 5.2 miliardë. Ky dyfishim e vendosë Kosovën si vendin më të varur në importe në Evropë. Me kaq hendek, me kaq dallim, do të na duhen vite për të marrë veten.”
Në fund, ai ka thënë se më 9 shkurt do të bëhet “ndryshimi i madh”.