Pak ditë pasi Komisioni i Pavarur për Media riktheu kanalet sportive të “Arena”, Komisioni parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka thirrur në raportim Komisionin e Pavarur për Media.
Anëtarët e KPM-së po raportojnë lidhur me vendimin 6 shkurtit ku ishte vendosur që t’i hiqet pezullimi kanaleve “Arena”, në të cilat ishin shfaqur mesazhe kërcënuese për Kosovës dhe që glorifikonin terroristët e vrarë në Banjskë.
Deputeti i PDK-së, Isak Shabani, iu drejtua bordit të KPM’së me pyetjen se kush iu bëri presion për rikthimin e kanaleve.
“Në procesverbal thuhet se pas këtyre të gjitha kërkesave të OSBE’së, ambasadave tjera të rishqyrtohet vendimi. A po na tregoni neve kush ju bëri presion, nga këta akter që i keni cekur në mbledhje, kush ishin ata, a bon me ditë kush po iu bon presion në vendimmarrjet e juaja. Ku asnjë reagim nuk pash nga shoqëria civile apo mediat për presion nga ambasadat.”, pyeti Shabani.
Tutje, deputeti Shabani tha se bordi i KPM’së duhet të shkarkohet sepse nuk ka kredibilitet.
“Ky bord nuk ka kredibilitet për të vazhduar me udhëheqjen e KPM’së. Shkarkim dhe vetëm shkarkim i bënë mirë Komisionit të Pavarur të Mediave”, tha ai.
Kujtojmë se, Komisoni i Pavarur i Mediave në mbledhjen e 6 shkurtit ka shfuqizuar vendimin e tij të marrë më 3 tetor të vitit 2023, përmes të cilit kishte pezulluar kanalet sportive të “Arena”, pasi në to ishin shfaqur mesazhe e thirrje mbështetëse për terroristët e vrarë më 24 shtator 2023 në Banjskë.
Gjykata Komerciale kishte refuzuar ankesën e kompanisë “Artmotion” ndaj vendimit të KPM-së dhe kishte vendosur në favor të KPM-së.
KPM-ja kthyeu kanalet sportive “Arena” me arsyetimin e kërkimfaljes nga operatori dhe garancinë se nuk do të përsëritet më një gjë e tillë.