Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pyetur nëse kanë qëndrim të njëjtë me kryeministrin, Albin Kurti sa i përket punës se ndalimi të dinarit serb përmes Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.
Osmani ka kërkuar që të anlizohen deklaratat për të parë nëse janë në një linjë me kryeministrin Kurti.
“Mendoj që mund t’i analizoni deklaratat, unë nuk kam pasur mundësi t’i përcjelli të gjitha deklarimet e qeverisë lidhur me këtë temë. Çka mund t’ju siguroj nga të gjitha kontakte me kryeministrin, është se qëllimet i kemi të përbashkëta dhe ajo është mbrojtja e Kushtetutës së vendit, mbrojtja e sovranitetit, shtyrja përpara e sundimit të ligjit në çdo cep të territorit të vendit dhe njëkohësisht arritja e dakordimit me aleatët tanë si përket kësaj çështje” – ka thënë ajo
“Metodat mund t’i kemi të ndryshme por qëllimet asnjëherë.” – ka shtuar ajo gjatë konferencë për media me ministrin e Mbrojtjes së Gjermanisë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar reagimet ndërkombëtare për dinarin dhe gjithashtu edhe për mbylljen e strukturave paralele serbe.
Ajo ka thënë se aleatët asnjëherë nuk kanë qenë pro dinarit, e as kundër Kushtetutës së Kosovës. Sipas Osmanit, duhet të ketë vetëm bashkëpunim me ndërkombëtarët për informimin e qytetarëve.
“Sa i përket çështjes së parë më lejoni të them se në vitin 2013 është nënshkruar një marrëveshje ndërkombëtare, ku parashihet që Serbia ka detyrim t’i zhbëjë të gjitha strukturat ilegale apo paralele në Kosovë. Jo vetëm që nuk ka ndërmarrë masa t’i zhbëjë këto struktura, por ato i ka fuqizuar dhe deri në masën që sot janë shndërruar në banda që kryejnë sulme terroriste. Kosova e ka obligim kushtetuese e ndërkombëtar, e obligim ligjor që këto struktura që mund të rrezikojnë sigurinë, të mos i lejojë të funksionojnë”, tha ajo, raporton Nacionale.
“Në këtë përpjekje më lejoni një gjë ta bëj të qartë: aleatët tanë i kemi në krahë. Aleatët tanë asnjëherë nuk kanë qenë kundër Kushtetutës së Kosovës, asnjëherë herë nuk kanë qenë pro dinarit serb, asnjëherë nuk kanë qenë kundër sundimit të ligjit. Këtë Kushtetutë dhe çdo sukses që e kemi arritur në Kosovë e kemi arritur bashkë me aleatët tanë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë. Rrjedhimisht unë nuk shoh asgjë abnormale në bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe aleatëve në gjetjen e rrugëve efektive me të cilat do të informoheshin qytetarët se si do të zbatohet rregullorja e BQK-së, rregullore që nuk e përmend dikund dinarin, por që ka të bëjë me parandalimin e spastrimit të parave dhe korrupsionit. Koordinimi ynë me aleatët për zbatimin sa më efektiv e të qëndrueshëm të Kushtetutës nuk është gjë e keqe, por është gjëja më e mirë e më e mençur. Strukturat ilegale nuk kanë të drejtë të ekzistojnë nga viti 1999 kur i është dhënë fund prezencës së institucioneve serbe në Kosovë. Edhe ato i tejkalojmë së bashku, e inkurajoj këtë bashkëpunim, e inkurajoj dialogun konstruktiv. E përsëris atë që thashë para disa ditësh, edhe Kushtetutën edhe aleatët. Këto nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën”, deklaroi më tutje presidentja Osmani.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, derisa ka folur për zbatimin e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, ka thënë se Kosova ka të drejtë ta zbatojë ligjshmërinë e saj, mirëpo po kërkohet të shtyhet zbatimi i kësaj rregulloreje për një afat më të gjatë.
Në konferencën për media bashkë me presidenten Vjosa Osmani, Pistoriusi ka thënë se nevojitet që kjo rregullore të komunikohet në mënyrë më të përshtatshme, që askush të mos ketë frikë.
“E dimë që Kosova ka të drejtë për ta zbatuar ligjshmërinë e saj, por në deeskalim bëjnë pjesë edhe masat legjitime për sa i përket vendosjes së euros si valutë e vetme, mirëpo nevojitet që kjo të komunikohet në mënyrë të përshtatshme që askush të mos ketë frikë dhe të mos ketë mosinformim. Unë mendoj se është mirë që të bëhet dhe të realizohet rregullorja, mirëpo të jepet dhe një afat pak më i gjatë për zbatimin e saj”, ka thënë ai.