Pavarësisht se Qeveria e Kosovës ka njoftuar se do ta hartojë një draft statut të ri për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, dhe se të njëjtin do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese në fund të majit, vendi nuk është vendosur në agjendën e Këshillit të Evropës.
Komiteti i Ministrave të KiE-së mblidhen sot e nesër në takimin e rregullt vjetor. Kosova, anise mori votë pozitive në Asamblenë Parlamentare, nuk është vendosur në agjendë.
Krejt kjo për shkak të kushtit, që është formimi i Asociacionit. Ndërkohë, pas zhvillimeve të së enjtes, Nacionale ka pyetur KiE-në nëse ka ndonjë ndryshim.
“Nuk ka asgjë të re që mund të komunikojmë në këtë pikë, por për çdo zhvillim do t’ju informojmë në kohën e duhur.” – kanë thënë nga shërbimi i shtypit i KiE-së.
Ky zhvillim, nuk ka kryer punë as për Gjermaninë. Sipas ambasadës gjermane në Kosovë, dorëzimi i draft-statutit para mbledhjes do të kishte nënkuptuar një “hap të prekshëm”.
Ambasada na e rikujtoi deklaratën e Jorn Rohde se “Kosova tani duhet ta bëjë pjesën e rëndë”. Kjo, siç thuhet në përgjigjen e tyre për Nacionalen, nuk ka ndodhur ende.
“Siç tha ambasadori Rohde në postimin e tij në Tëitter pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: “Kosova tani duhet të bëjë pjesën e rëndë”. Kjo nuk ka ndodhur ende.” –thuhet në përgjigje.
Një draft tjetër në Kushtetuese
Mëngjesin e së enjtes, kryediplomatja Donika Gërvalla njoftoi se i ka nisur një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku zotohet sërish së Qeveria e Kosovës do ta zbatojë obligimin për Asociacionin.
Veç kësaj, Qeveria e Kosovës ka premtuar dërgimin e draft-statutit në Kushtetuese der në fund të muajit maj.
“Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draft Statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (në kuadër të obligimeve të parapara në nenet 7 dhe 10), të frymëzuar nga Fondacioni Friedrich Ebert, i cili do t’i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të majit 2024.” – thuhet mes tjerash në letrën e Gërvallës.
Ndërkohë, sot e nesër Komiteti i Ministrave të KiE-së pritet të mbajnë mbledhjen e radhës. Kosova nuk është vendosur në agjendën e takimit.
Javën që lamë pas, kryeministri Kurti njoftoi se Qeverisë i është vënë një kusht i ri për anëtarësim, e që është zbatimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Pengesat për anëtarësim i mendonim nga shtete që s’e njohin Kosovën, por assesi e asnjëherë s’e mendonim që pengesë do të bëheshin shtetet demokratike që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahëse të Kosovës për zhvillim e demokratizim e më herët ishin krah nesh për çlirim e pavarësim.” –kishte thënë Kurti, derisa njoftonte për kushtin në fjalë.