Ndonëse u bëri ftesë të gjithë liderëve të partive opozitare, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën do të ketë darkojë vetëm me liderin opozitar, njëherësh kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin.
Në letrën dërguar Krasniqit, Abdixhikut dhe Haradinajt, Kurti ka bërë të ditur se qëllimi i ftesës do të jetë diskutimi i përbashkët dhe shqytrimi i mundësive për përmbushjen e agjendës së mbetur legjislative për seancën pranverore të Kuvendit.
“Unë jam i vetëdijshëm se subjekti juaj opozitar ka rezervat e veta për pjesëmarrje në procesin e votimit në Kuvendin e Republikës, por besoj pozitivisht se kjo nuk e parandalon pjesëmarrjen tuaj dhe diskutimin tonë të përbashkët për të shqyrtuar mundësitë e reja rreth përmbushjes së agjendës së mbetur legjislative për sesionin pranveror”, thuhet në letrën e Kurtit drejtuar partive opozitare.
Ftesës së kreut të Qeverisë i është përgjigjur pozitivisht partia më e madhe opozitare, PDK. Megjithatë, kjo parti ka bërë të qartë se takimi do të jetë “në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja”.
Sipas PDK-së, për shkak të krizës në çdo fushë, e vetmja rrugë janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
”Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë. Prandaj edhe pjesëmarrja e Kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jenë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja.” – u shpreh zëdhënësi i PDK-së.
Ndonëse ftesa e Kurtit, siç thuhet në letër, nuk ka të bëjë me caktimin e ndonjë date për zgjedhjet e reja, përgjigja pozitive e PDK-së ndërlidhet me synimin e arritjes së një konsensusi për zgjedhjet e ardhshme.
Ndryshe nga PDK-ja, LDK dhe AAK refuzuan ftesën e kryeministrit Kurti për takim.
Haradinaj, në letrën dërguar Kurtit, argumentoi se tema e përcaktuar për mbledhjen mes partisë në pushtet dhe opozitës “bie në përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare”.
“Z. Besnik Tahiri, i cili udhëheqë grupin tonë parlamentar dhe kolegë të tjerë, jam i bindur se do të diksutojnë në frymën kolegiale dhe do të gjejnë një gjuhë, që pastaj do të përçohet në Kuvend nga grupet tona parlamentare për zbatim”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen AAK-së.
Ndërsa Abdixhiku e konsideroi “të vonuar” ftesën e Kurtit nën argumentin se partia në pushtet ka “shuar frymën e bashkëpunimit”.
“Në përgjigje të letrës tuaj, e konsideroj të vonuar tani që, pas tre vitesh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre.” – thuhet në letër ndër të tjera.