Mali i Zi – tashmë me një formacion krejt tjetër politik qeverisës, tejet më miqësor karshi Beogradit – kanë dhënë paralajmërime kundërshtuese ndaj votimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, siç raportoi Radio Evropa e Lirë.
“Partia Demokratike Popullore (PDP) në pushtet në Mal të Zi e ka mbështetur deputeten e vet, Maja Vukiçeviq, si kryetare e delegacionit malazez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), për të votuar kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë”, raportoi REL-i.
“Përkrahja e plotë i është shprehur nënkryetares së partisë, Maja Vukiçeviq, kryetare e delegacionit malazez në APKE, që të votojë kundër pranimit të të ashtuquajturës Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, thuhet në deklaratën e partisë të publikuar më 24 mars.
Kujtojmë se me shpërbërjen e Frontit Demokratik – kongllomerat partish që kanë bekimin e Beogradit si “përfaqësuesit legjitim të serbëve të Malit të Zi” – ka ardhur PDP-ja të cilët janë në shumicën parlamentare të Malit të Zi.
Në fazën e parë të trajtimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, Mali i Zi, asokohe ende me në qeveri Dritan Abazoviqin, kishte votuar pro Kosovës, çka kishte zgjuar indinjatën e Beogradit, me kryediplomatin serb, Ivica Daçiq, që paralajmëronte “kundërpërgjigje” ndaj Podgoricës zyrtare.
“Duhet të veprojmë në mënyrë reciproke edhe këtu. Mali i Zi votoi për pranimin e Kosovës. Atyre do t’u duhet vota jonë në një moment, sigurisht që nuk do të mund ta numërojnë“, pati thënë asokohe Daçiq, i cili ishte shprehur se nga Podgorica kishte priture që së paku të abstenojnë.
Tashmë me një qeveri më miqësore ndaj interesave serbe në Mal të Zi, piktura del të jetë më jopremtuese karshi Kosovës në raport me Podgoricën zyrtare; ku ish-Fronti Demokratik madje kërkon edhe çnjohjen e Kosovës.
Delegacioni i Malit të Zi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës përbëhet nga gjashtë anëtarë, nga të cilët katër janë anëtarë të Qeverisë dhe dy anëtarë të opozitës, raportoi REL-i.
Kujtojmë se – nga vendet njohëse Hungaria kishte votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE, dhe madje ministri hungarez i jashtëm, ishte shprehur se Budapesti do të mbajë qëndrim mosvotues ndaj Kosovës në organet evropiane.
Qeveria e Kosovës shprehet tejet e shpresshme se i kanë të sigurara 2/3 e votave për anëtarësim në Këshillin e Evorpës në dritën edhe të opinionit të Raportueses për Kosovën në KiE, Dora Bakoyanis, e cila do ta shpalojë para Asamblesë Parlamentare me rekomandimin “pro” anëtarësimit të Kosovës; ndonëse jo pa një numër kushtesh të hidhta siç është themelimi i Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe si dhe disa shpronëse/shtetëzime të tokave në veri të vendit.
Kosova, mes tjerash, ka zbatuar edhe kryekushtin për anëtarësim në KiE: zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për regjistrimin e 24 hektarëve tokë të kontestuara të Manastirit të Deçanit.