Çështja e ndalimit të dinarit serb po vazhdon të diskutohet. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, është pyetur për mospezullimin e vendimeve nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pavarësisht nga thirrjet e ShBA-së. Përveç Miller, edhe zyrtarë të tjerë amerikanë kanë paralajmëruar Qeverinë e Kosovës.
“Ne themi në këtë dhomë që fjala e Shteteve të Bashkuara ka peshë, por pavarësisht kësaj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk u është përgjigjur fjalëve, siç ju jeni të vetëdijshëm, të Shteteve të bashkuara për t’i pezulluar vendimet e tij, vendimet e njëanshme. Menjëherë ju e patët edhe James O’Brien në regjistër dje (nuk dëgjohet) që po ndodh. Pra përtej fjalëve, çfarë mjete të tjera synoni që të përdorni tutje për ta detyruar Kurtin që të ndalet me veprimet e tij të njëanshme, duke pasur parasysh që, në fund të ditës, kjo është çështje që e shqetëson taksapaguesin amerikan?” – ishte pyetja e një gazetari.
Milleri u përgjigj: “Atëherë, unë do të them se ne do të vazhdojmë që të angazhohemi në diplomaci për ta zgjidhur këtë dhe – për ta zgjidhur këtë çështje, dhe ne duam që të dyja palët t’i kthehen dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dhe përtej kësaj, unë nuk dua që të parashikoj ndonjë hap specifik nga këtu.”
Gazetari më pas pyeti: “Shqipëria është nesër (vizita e sekretarit të Shtetit, Blinken). Vetëm dua të pyes nëse sekretari Blinken në Shqipëri do të flasë me kryeministrin Edi Rama për çështjen e Kosovës në mënyrë që ta bindë atë që të diskutojë me Kurtin.
Milleri u përgjigj: “Çfarëdo që sekretari (Blinken) do t’i thotë kryeministrit (Edi Rama), mendoj se do të pres dhe do ta lë atë që t’ua thotë këtë privatisht atyre. Ai ka një konferencë për shtyp në Shqipëri më pas, ku do të flasë për atë takim, prandaj ju lutem që ta përcillni atë.
Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar qëndrimin e ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien i cili tha se “nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”.
Për këtë deklaratë, Kurti ka thënë se marrëdhëniet me SHBA-në nuk janë duke u rrezikuar.
Ai ka thënë se Kosova nuk ka partner aleat si Amerika.
“Republika e Kosovës nuk ka partner aleat edhe mik sikurse ShBA-të, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj si kryeministër i Kosovës. Banka Qendrore e Kosovës ka prezantuar një plan 10-pikësh për zbatimin e rregullores së saj. Ne jemi një Republikë demokratike Qeveria nuk u mbivendoset institucioneve të pavarura siç është BQK-ja. Në mesin e këtyre 10 pikave si plan pune për zbatimin e rregullores BQK nuk ka paraparë asnjë masë ndëshkuese, pra pa ndëshkim dhe pa incidente duam të ecim përpara. Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria janë prioritet i uni, por njëkohësisht ne kujdesemi edhe paqe e siguri, kujdesemi edhe për mirëqenien e qytetarëve serbë.” – ka thënë Kurti.
Ndërsa, zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi, në një intervistë të dhënë të mërkurën mbrëma, ka kritikuar ashpër zyrtarë amerikanë.
Bislimi e akuzoi ambasadori e SHBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenierin për “ndërhyrje” në BQK, ndërsa për O’Brien-it iu përgjigj se “qeverisim me politika e ligje, jo kërcënime”.