Pas shkarkimit të Donjeta Sahatçiut nga pozita e nënkryetares së komunës së Prishtinës nga kryetari Përparim Rama, është emëruar Jehona Lushaku-Sadriu nga radhët e LDK-së.
Këtë të fundit sot e uruar kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, i cili tha se ajo “është një vlerë për Prishtinën”.
“Jehonës i urova detyrën e re si nënkryetare në Kryeqytet. Duke e njohur nga afër, si një grua të fortë, me plot vullnet e përkushtim në secilin angazhim që ajo merr, Jehona thjesht është një vlerë për Prishtinën dhe gjithë ne! Ju priftë e mbara!”, ka shkruar sot Abdixhiku.
Rama shkarkoi Sahatçiun me arsyen se ka pasë “ngecje në fushën e digjitalizimit”, detyrë me të cilën ishte ngarkuar Sahatçiu si nënkryetare dhe si u.d e drejtores së Arsimit.
“Kemi ngecje në fushën e digjitalizimit, e cila është udhëhequr nga Nënkryetarja znjsh. Donjeta Sahatçiu. Ky projekt, siç e dini ka qenë një prej premtimeve të bëra, duke dashur që të përmirësojë e modernizojë institucionet e Kryeqytetit. Andaj, për shkak të vonesave të shumta në proces dhe ngecjes së projektit të digjitalizimit, kam marrë vendim që të liroj nga detyra, znjsh. Donjeta Sahatçiu, nga pozita e Nënkryetares së Kryeqytetit dhe pozita e Ushtrueses së Detyrës së Drejtores së Arsimit”, kishte njoftuar Përparim Rama.