Zëvendëskryeministri Besnik Bisilimi, sot është duke raportuar në Komisionin për Integrime Evropriane ku tha se ende nuk ka vendim për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.
Sipas Bislimit tha kjo nuk ndodhë pavarësisht se Kosova ka zbatuar pikat e planit katërpikësh.
“Masat janë vendosur në fund të majit, nga Komisioni Evropian dhe janë rezultat i eskalimit që ka ndodhur në veri të Kosovës me datën 29 maj të vitit të kaluar kur protestuesit serbë kanë sulmuar KFOR-in, gazetarët dhe qytetarët tanë. Ka ekzistuar një bindje që Qeveria e Kosovës duhet të bëjë më shumë për de-eskalimin e situatës. Në letrën që na është dërguar për vendosjen e këtyre masave thuhet që masat janë të përkohshme, janë të kthyeshme dhe të bazuara në një proces kredibil të de-eskalimit të situatës në veri”, ka thënë ai.
“Pas kësaj ne kemi pasur një takim në Bratisllavë ku kemi diskutuar me z.Lajçak lidhur me atë se çfarë nënkuptojnë masat që do të çojnë në de-eskalim të situatës dhe rrjedhimisht edhe në largimin e masave ndëshkuese të BE-së dhe kemi ndërtu një dokument katërpalësh që ka të bëjë me prezencën e policisë rreth objekteve komunale, vlerësimi i situatës së riskut atje, miratimin e udhëzimit administrativ nga MAPL rreth opsioneve se si mund të shkarkohet kryetari në një komunë në Kosovë, dhe ne i kemi përmbushur obligimet e tona që qëndrojnë në këtë dokument”, tha tutje ai.
Më tutje Bislimi u shpreh se ka frustrim nga disa vende anëtare të BE-së lidhur me mos heqjen e këtyre masave.
“Me gjasë ka pakënaqësi në mes të vendeve anëtare se cili është mekanizmi për largimin e masave, por ka presion dhe frustrim edhe brenda vendeve anëtare se si ka mundësi që Kosova është nën masa vetëm pse ka dërguar katër kryetar të komunave në zyre që i kanë fituar përmes zgjedhjeve të lira, ndërsa Serbia nuk ka masa pavarësisht agresionit terrorist që ka bërë në Banjskë. Pra ka një qasje tërësisht të pabalancuar të BE-së dhe një qasje që e ka dëmtuar vendin tonë”, u shpreh ai.