I dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, ka thënë se e ardhmja e Kosovës është e një republike multietnike, ndërsa ka shprehur mbështetje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, nga i cili, siç thotë ai, do të përfitonte i gjithë rajoni.
Në një intervistë për agjencinë kroate të lajmeve, “Hina”, Peach është i vetëdijshëm që rajoni i Ballkanit Perëndimor mund të jetë vatër e destabilizimit.
“Nga normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të përfitojnë të gjithë qytetarët e të dy vendeve, si dhe rajoni më i gjerë, përfshirë Kroacinë, dhe e ardhmja e Kosovës është që ajo të bëhet një ‘republikë multietnike’ “, ka thënë Peach.
Peach e quajti “incident të rëndë” sulmin në Banjskë më 24 shtator, në të cilin mbeti i vdekur rreshteri Afrim Bunjaku, dhe theksoi se institucionet e Kosovës po bashkëpunojnë plotësisht në hetim, gjë që u shpreh se e theksoi edhe në Beograd.
Ai shtoi se sasia e armëve të gjetura mund të jetë destabilizuese për Kosovën dhe për këtë arsye, vlerësoi veprimet profesionale dhe të koordinuara të Policisë së Kosovës.
Sipas Peachit, për shkak të rrethanave të ndryshuara gjeopolitike dhe konflikteve të reja, është “më e rëndësishme se më parë” të mos shtohen rreziqe të reja në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të mos lejohen të kenë sukses ata që duan të destabilizojnë rajonin, duke aluduar në Rusinë.
Peach e shpalli agresionin rus kundër Ukrainës sulm ndaj vlerave evropiane, “prandaj është thelbësore që Evropa të qëndrojë e bashkuar në mbrojtjen e tyre”.
Ai i bëri thirrje Serbisë të vendosë sanksione ndaj Rusisë, si vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që s’ka bërë diçka të tillë.
I dërguari i Britanisë e bëri të qartë se Republika Srpska nuk mund të jetë shtet i pavarur, duke dënuar kërcënimet e presidentit të etnitetit serb të Bosnjës, Milorad Dodik.
“Londra vazhdon ta mbështesë Marrëveshjen e Dejtonit”, ka shtuar ai.
Peach qëndroi për vizitë në Kroaci. Ishte hera pestë që viziton shtetin kroat që kur u emërua si i dërguar i Britanisë për rajonin në fund të vitit 2021.