Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë sulme në Irak kundër objektivave të lidhura me rebelët e mbështetur nga Irani.
Agjencia e lajmeve Associated Press raporton se tri objekte në Irak u goditën nga ushtria amerikane. Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin ka thënë se sulmet ishin si hakmarrje për sulmet me raketa dhe dron ndaj trupave amerikane në Irak dhe Siri gjatë disa ditëve të fundit.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë se “refuzimi i qartë dhe i përsëritur i zgjidhjes me dy shtete në nivelet më të larta të qeverisë izraelite është i papranueshëm”, pasi ai bëri thirrje për më shumë qasje ndihme në të gjithë Rripin e Gazës. “E gjithë popullsia e Gazës po përballon shkatërrimin në një shkallë dhe shpejtësi pa paralele në historinë e fundit” -ka thënë Guterres në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. “Asgjë nuk mund ta justifikojë ndëshkimin kolektiv të popullit palestinez.”
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka thënë të martën se Shtetet e Bashkuara janë kundër çdo ndryshimi të përhershëm në territorin e Gazës, por e mbajtën të hapur derën për mbështetjen e mundshme për çdo “rregullim kalimtar” për zgjidhjen e konfliktit me Izraelin. “Nëse duhet të ketë marrëveshje kalimtare për të mundësuar që kjo të ndodhë, kjo është një gjë. Por kur bëhet fjalë për statusin e përhershëm të Gazës në vazhdim, ne kemi qenë të qartë, ne mbetemi të qartë për të mos shkelur territorin e saj” – u tha Blinken gazetarëve në Abuja, Nigeri.
Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron do të udhëtojë në Izrael të mërkurën, ku pritet të ngrejë shqetësime për numrin e madh të palestinezëve të vrarë dhe të bëjë thirrje për një armëpushim “të qëndrueshëm” në luftën e Gazës.