Shoferët e trenave në Gjermani nisën mëngjesin e së mërkurës me grevën më të gjatë deri më tani dhe siç paralajmëruan, ajo do të prekë drejtpërdrejt mijëra pasagjerë dhe mund të kërcënojë ekonominë me humbje deri në 1 miliard euro.
Të hënën, sindikata gjermane e shoferëve të trenave (GDL) bëri thirrje për grevë gjashtë-ditore. Greva e planifikuar do të zgjasë nga sot deri në orën 18:00 të së hënës.
Kjo është greva e katërt e punëtorëve të trenave që nga nëntori, që janë të pakënaqur me pagat dhe orarin e gjatë të punës.
Pas një pauze tre-ditore në formën e një greve në fillim të këtij muaji, kjo mosbindje e punës do të jetë më e gjata ndonjëherë.
Çështja për të cilën punëtorët janë në grevë është thirrja e sindikatës për uljen e orarit të punës së punëtorëve me turne nga 38 në 35 orë në javë pa ulje të pagave, kërkesë që punëdhënësit e kanë refuzuar deri më tani.
GDL-ja kërkon rritje prej 555 eurosh në muaj për punonjësit plus një pagesë të njëhershme deri në 3 mijë euro për të luftuar inflacionin. Operatori gjerman hekurudhor Deutsche Bahn (DB) ka thënë në fillim të këtij muaji se kishte bërë ofertë me rritje prej 11 për qind.
Sipas DB-së, në ofertë është përfshirë edhe çështja që punëtorët me turne mund të punojnë nga 38 në 37 orë nga viti 2026, ose të marrin pagë shtesë nëse duan të qëndrojnë në oraret e tyre aktuale.
Vetëm 20 për qind e trenave ndërqytetas janë aktivë.