Profesori izraelit Moshe Landsman, bashkëthemeluesi i Departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka vdekur të mërkurën në moshën 75-vjeçare.
Vdekja e tij u njoftua nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës. Pas luftës, përveç kontributit në fushën e psikologjisë, profesori Landsman erdhi në Kosovë dhe ndihmoi të mbijetuarat e dhunës seksuale.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për humbjen e Prof. Moshe Landsman. Një figurë që e tejkaloi rolin e profesorit dhe pedagogut, duke u shndërruar kështu në një figurë emblematike i cila ka mbështetur, përkrahur dhe inkurajuar të tjerët. Para pak ditësh ai ishte në mesin tonë, në ambientet e QKRMT-së, i shoqëruar me qetësinë dhe thellësinë e tij. Për shumë vite, ne si QKRMT, kishim një bashkëpunim të ngushtë me Prof. Moshen. Ai po ikën duken lënë gjurmë të thella, jo vetëm në fushën e dijes dhe nxënies, por edhe në shtytjen dhe inkurajimin e talenteve të reja drejt sukseseve të dëshmuara profesionale, në nivel shoqëror dhe shtetëror për Kosovën. Prof. Moshe ishte një model i gjallë i humanizmit, përunjësisë dhe filantropisë. Vdekja shpesh duket si e pabesë dhe shpërfaqet në befasi por në thelb është e dëlirë dhe shton dashurinë e atyre që mbesin në jetë. Ne do të vazhdojmë ta njohim kontributin e tij dhe ta kujtojmë atë me dashuri”, thuhet në njoftimin e kësaj qendre.
Vitin e kaluar, Ministria e Arsimit e vlerësoi Landsmanin me çmim nderi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e arsimit në Kosovë, me theks të veçantë në fushën e psikologjisë.
Landsman ka lënë pas vetes një karrierë të vlefshme si profesor e psikolog në Izrael që nga vitet 1970-ta, ndërsa lidhja e tij me Kosovën daton që nga paslufta kur ai për herë të parë erdhi të ndihmonte të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.
Në Departamentin e Psikologjisë të Universitetit të Prishtinës, i pari i pasluftës në Kosovë, Landsman ka qenë profesor për shumë vite dhe ka lënë gjurmë në diplomimin e shumë gjeneratave të studentëve të psikologjisë.