Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se të dielën ka pasur darkën e parë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e sipas tij, komunikimi në tryezë ishte pozitiv.
Ai ka thënë pas takimit me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimorë se në vendet e rajonit kanë harxhuar kohë dhe energji me terminologji, derisa ka bërë thirrje që të shfrytëzojnë mundësinë e Bashkimit Evropian për të përfituar ekonomikisht.
“Është hera e parë që jam në një darkë me Albinin dhe Vuçiqin dhe më rezulton që u bë një komunikim pozitiv mes të gjithëve, ashtu si kundër më rezulton se ky format e këto kërkesa që i ka sot BE-ja nga ne, për të na dhënë mundësinë që të marrim më shumë në aspektin ekonomik, flasin vetë për atë që më ka rënë goja për gjithë këto vite. Ne të integrohemi brenda rajonit që të jemi gati kur të duhet të bëjmë një hap më tej në BE”, ka thënë Rama para mediave.
Sipas tij, vendet duhet t’i shfrytëzojnë mekanizmat e Procesit të Berlinit dhe të “Ballkanit të Hapur” për të ecur në rrugën evropiane.
“Nëse ne do t’i kishim bërë të gjitha gjërat që mund t’i kishim bërë në kundër të Procesit të Berlinit dhe duke shfrytëzuar mekanizmat e ‘Ballkanit të Hapur’, si mekanizma të hapur do të ishim gati. S’jemi gati sepse kemi humbur kohë dhe kemi harxhuar shumë energji duke u marrë me terminologji…Janë rezultat i mungesës së vizionit strategjik të përbashkët, të gjithë anëtarët e 6 vendeve dhe mungesa e dëshirës për të ndarë çështjet e brendshme me të madhen që është sa e madhe aq e brendshme”, është shprehur kryeministri i Shqipërisë.
Ai ka shtuar se BE-ja e ka bërë të qartë qëndrimin për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“BE-ja na ka bërë të qartë se nëse nuk jemi bashkë, kush do të bëhet shkak do të penalizohet, do të penalizojë vetveten sepse s’do të përfitojë vet…Asgjë e keqe nuk ndodh nga të takuarit, paqja është në interes të të gjithëve, e konflikti është interes të politikanëve për një kohë të shkurtër”.
I pyetur për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, Rama shtoi se “kjo është punë që nuk ka një datë pasi duhen përpjekje të përditshme”.