Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti ka komentuar deklaratën e Isa Mustafës, pasi ky i fundit tha se draft – statuti i Asociacionit është diçka e rrezikshme, është autonomi politike, raporton Insajderi.
Haliti thotë se është konstatim normal dhe i saktë, por që ai duhet të sqarojë përgjegjësitë e veta për mospërgatitje të statutit gjatë kohës kur kishte obligim.
“Është konstatim normal i saktë i një politikani me përvojë që ka qenë aktiv në tri gjeneratat e politikbërjes. Tani zoti Mustafa flet nga pozita e opozitarit, por mendoj që ai duhet të reflektojë e sqarojë edhe përgjegjësit e veta sa i përket mos përgatitjes së Statutit në kohën kur kishte obligim”, deklaroi Haliti për Insajderin.
Më tej, deputeti i PDK-së, theksoi se, çështja e projektstatutit ka qenë e ditur për stërzgjatjen e tij që nga koha e para pavarësimit të Kosovës ku është propozuar në dokumentin e Ahtissarit.
Sipas tij, përpjekjet e politikanëve të Kosovës për të mos e zbatuar një vendim ndërkombëtarisht të obliguar, tashmë kanë dështuar. Tutje, ai tha se Isa Mustafa është në dijeni se kushdo që është në pushtet çështjen e Asociacionit e ka të varur në qafë.
“Përpjekjet e politikanëve të Kosovës për të mos e zbatuar një vendim ndërkombëtarisht të pranuar dhe të obligueshëm, tanimë kanë dështuar. Mendoj që edhe zoti Mustafa e dinë që kushdo që të vijë në pushtet çështjen e Asociacionit e ka medaljon të varur në qafë, pa miratimin e të cilit Kosova i ka rrugët e mbyllura për integrim ndërkombëtarë dhe zhvillim ekonomik”, potencoi Haliti.