Bazuar në një anketë të realizuar në dhjetor të vitit të kaluar Instituti GAP ka vlerësuar se 28 për qind e qytetarëve të Kosovës do të emigrojnë në pjesën e parë të vitit 2024, pas liberalizimit të vizave dhe se shumica destinacion e kanë Gjermaninë.
Sipas raportit me titull “Prirja për emigruar nga Kosova pas liberalizimit të vizave: Ndikimi në fuqinë punëtore”, sektorët që do të preken më së shumti nga largimi i punëtorëve janë ai i ndërtimtarisë, gastronomisë, tregtisë dhe prodhimit.
“Sektorët që pritet të preken në masë më të madhe nga largimi i punonjësve në periudhë afatshkurtër dhe afatmesme janë ata të sektorit të ndërtimtarisë (18.7%), hotelerisë dhe gastronomisë (18.7%), tregtisë (18.1%) dhe prodhimit (12.9%). Të njëjtit janë ndër sektorët me numrin më të lartë të të punësuarve dhe ku produktiviteti i punonjësve është i lartë, mirëpo ku pagat vazhdojnë të mbesin të ulëta”.
Në raport, mes tjerash, thuhet se në këta sektorë pritet rritje e pagave krahasuar me sektorët tjerë teksa gjatë vitit të kaluar kanë vërejtur se ka pasur ndryshim të pagave në tregun e punës në Kosovë, ku rreth 27.4% e të punësuarve të anketuar kanë thënë se kanë pasur rritje të pagave.
Sipas të anketuarve arsyet ekonomike janë shkak i vendimit për të emigruar teksa destinacionet e tyre janë Gjermania me 71.4%, ndjekur nga Zvicra me 11.7%; dhe Austria me 5.3%.
“Rreth 45% e të anketuarve, në vitin 2023 ishin të punësuar me punë të rregullt (39.3% të punësuar në sektorin privat dhe 5.8% në sektorin publik). Arsyet ekonomike dalin të jenë mbizotëruese në marrjen e vendimit për të emigruar. Mbi 20% e personave që planifikojnë të emigrojnë kanë realizuar të hyra në muajin e fundit prej 301-450 euro, ndërkaq 32.9% nuk kanë realizuar fare të hyra. Shumica e qytetarëve që planifikojnë të emigrojnë janë persona që kanë të përfunduar vetëm shkollimin e mesëm (57.7%)”, thuhet në raport.