Numërimi i votave në Shqipëri, tashmë po shkon drejt kutive të fundit.
Kanë mbetur për t’u numëruar edhe 12 kuti me votat brenda Shqipërisë.
Bazuar në rezultatet e deri tashme, Edi Rama ka 52.16% apo rreth 733 mijë vota.
Kurse, Sali Berisha 481 mijë vota, apo 34.26%.
Dallimi mes Ramës dhe Berishës aktualisht, është rreth 250 mijë vota.
Nëse flasim me numrin e mandateve, PS-ja ka siguruar 83 deputetë, PD-ja 50, PSD-ja 3, kurse Mundësia është rritur dhe ka dy mandate aktualisht.
Numërimi po vazhdon edhe me votat e diasporës. Edhe aty, Edi Rama del bindshëm më i fuqishëm se Berisha.
PS-ja ka mbi 42 mijë vota, kurse PD-ja rreth 22 mijë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot reagoi për herë të parë pas rezultateve.
“Duke ju rrëfyer se s’po i gjej dot fjalët për të shqiptuar sonte në 7 në Sheshin Skënderbej, ju falenderoj përgjunjësisht për besimin e patregueshëm e ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar ai.
Sali Berisha ka thirrur protestë për datën 16 maj 2025, në Shqipëri për atë që ai e quan ‘krim elektoral të kryebanditit Edi Rama’. Sa për zgjedhjet, Berisha tha se as që bëhet fjalë për t’i pranuar ato.
“Me datën 16, në orën 17:00, në bulevadrin ‘Zogu i parë’ për të senzibiluzuar opinionin public botëror mbi krimet monstruoze të përbindëshit elektoral Edi Rama, që nuk respekton asnjë rregull, asnjë ligj kombëtar dhe ndërkombëtar për zgjedhjet”, tha ai.
Protesta do të jetë paqësore, sipas Berishës.
Ai tha se zgjedhjet e 11 majit, u diktuan ‘nga bandat’.
“Zgjedhjet e 11 majit u diktuan që të gjitha nga krimi, bandit kriminale të qeverisë, ishin active në dhjetë qarqe të Shqipërisë, një 20 bashki të vendit dhe ato patronuan 30 deputetë të mazhorancës kriminale”, tha ai.
Udhëheqës të të gjitha vendeve evropiane, mblidhen më 16 maj 2025 në Sheshin Skënderbe në Tiranë, për Samitin e Komunitetit Evropian Politik – KPE. Kjo ide që ishte e presidentit francez Emmanuel Macron dhe që lindi si përgjigje ndaj luftës në Ukrainë, Komuniteti Evropian Politik mblidhet në nivelin më të lartë dy herë në vit, derisa kryesuesi i saj ndërrohet mes 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe 20 vendeve që nuk bëjnë pjesë në bllok.
Samiti – data e së cilit ishte vendosur shumë më herët, zhvillohet pesë ditë pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 majit në Shqipëri, zgjedhje të cilat kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha nuk i pranon dhe për këtë, ka paralajmëruar protestë bash më 16 maj.
“Me datën 16, në orën 17:00, në bulevadrin ‘Zogu i parë’ për të senzibiluzuar opinionin public botëror mbi krimet monstruoze të përbindëshit elektoral Edi Rama, që nuk respekton asnjë rregull, asnjë ligj kombëtar dhe ndërkombëtar për zgjedhjet. Protesta do të jetë paqësore”, tha Sali Berisha në një konferencë për media.