Në tubimin zgjedhor në Podujevë, të martën, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se kthimi i tyre veçse ka nisur e se do të rritet në vitet në vijim. E për këtë lëvizje të bashkatdhetarëve, Kurti ka thënë se duhet bërë përgatitje. Ai është shprehur i bindur edhe me rritjen e numrit të qytetarëve që jetojnë jashtë vendit e që do të vijnë në Kosovë për të votuar më 9 shkurt
Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shprehur bindjen se bashkatdhetarët shpejt do të kthehen për të jetuar në Kosovë.
Në tubimin zgjedhor në Podujevë, të martën, Kurti ka thënë se kthimi i tyre veçse ka nisur e se do të rritet në vitet në vijim, teksa ka dhënë edhe një sqarim se pse do të jetë kështu.
“Kur kanë shkuar në vitet ‘90 këtu ka qenë terrori i Serbisë, okupimi, aparteidi. E kur kanë shkuar në Gjermani atëherë azilin ua kanë pranuar menjëherë, banesën ua kanë dhanë. Gjermania ka lulëzuar se u pat bashku e u shndërrua në motorin e industrisë evropiane. Mirëpo sot, Kosova po lulëzon e fatkeqësisht ekonomia në Gjermani është buzë recesionit”, ka thënë Kurti.
E për këtë lëvizje të bashkatdhetarëve, Kurti ka thënë se duhet bërë përgatitje.
“Ne duhet të jemi të përgatitur për punën e tyre, për dijen e tyre, për investimet e tyre, për fitimin e tyre bashkë me neve. Atdheun e tyre ta lulëzojmë, ta bëjmë më të përparuar e t`i kalojmë edhe vendet jo vetëm të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai.
Kurti është shprehur i bindur edhe me rritjen e numrit të qytetarëve që jetojnë jashtë vendit e që do të vijnë në Kosovë për të votuar më 9 shkurt.
“Kësaj radhe duket që do të thyhet edhe rekordi i vitit 2021, kur patën ardhur ma së shumti bashkatdhetarët tanë. Bashkatdhetarët tanë do të vijnë më 9 shkurt edhe ma shumë se që vijnë verës, dy herë do ta bëjnë dimrin verë”, ka deklaruar ai.
Teksa ka folur për tubimet gjithandej Kosovës, Kurti ka thënë se më së shumti i është kërkuar që të mos lëshojë pe për asnjë çështje.
“Unë nuk kam lëshu pe si kryeministër. E me 9 shkurt bëhen 1 mijë e 420 ditë që nuk kam lëshu pe, e një ditë le të mos lëshojmë pe më 9 shkurt. Edhe ju mos lëshoni pe qat ditë, votoni numrin 118”, ka theksuar Kurti.
Kandidati për kryeministër i Vetëvendosjes, duke iu referuar pushtetit të tij, ka thënë se qytetarët e dinë se kush e mbron Kosovën cep më cep.
“Cep më cep” është edhe slogani i kësaj partie për këto zgjedhje.
“Populli e di fort mirë se kush e mbron cep më cep Kosovën, komunë për komunë nga shteti agresor e gjenocidal i Serbisë, i cili ka pas dikur struktura ilegale por një nga një e të gjitha ato me fuqinë e ligjit të drejtë, me shtetin tonë të pavarur e demokratik i kena shporr njëherë e mirë e përgjithmonë”, ka thënë ai.
E këtë Kurti ka thënë se e ka arritur edhe me ndihmën e kryetarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në komunat kufitare me Serbinë.
“Me pa qenë ato partitë e tjera në këto komunat kufitare kish qenë problem për besë se ata i thojnë Serbisë razume. Nuk ka razumen me kojshinë e keq. Kur e ki kojshinë keq duhet ta mbash moralin lart dhe pushkën e mirë plot”, ka thënë ai.
Edhe në Llap nuk i ka kursyer opozitarët nga kritikat.
“Këta para neve e kanë mendu shtetin si një tepsi që nuk është e kurrkujt, por mundet me u bo e dikujt por varet sa i shpejtë je. E kush është ma i shpejtë, qaj që është ma afër. Prandaj për ta pushteti ka qenë afërsi ndaj tepsisë që është e kurrkujt e bohet e dikujt, bohet e këtyre”, ka deklaruar ai.
Sipas Kurtit, në zgjedhjet e 9 shkurtit vendoset gjykimi popullor për punët që sipas tij janë bërë deri më tash.
“Këto katër ditë janë vendimtare për ma shumë se katër vjet në vijim. E pa dyshim që janë të tilla se 9 shkurti nuk janë thjeshtë zgjedhjet por janë referendum, referendum për katër vjetët e ardhshme por edhe për katër vjetët që shkuan”, ka thënë Kurti.
Llapjanëve Kurti u ka premtuar se në pranverë do të përfundojë rruga Prishtinë-Podujevë e se për katër vjet janë mbështetur nga Qeveria rreth 70 mijë nëna e 400 mijë fëmijë në gjithë Kosovën. Ka thënë se në Podujevë kanë gjetur vetëm një çerdhe të ndërtuar e për katër vjet këtë numër e kanë rritur në nëntë.
Të mërkurën Lëvizja Vetëvendosje tubimin qendror zgjedhor do ta zhvillojë në Prizren.