Me një videomesazh drejtuar punëtorëve të sektorit publik, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku, e ka përsëritur premtimin e tij për rritje të pagave.
Në Qeverinë e drejtuar nga LDK-ja, Abdixhiku është zotuar se pagat e punëtorëve të shtetit do të rriten me koeficient 150 euro, që në javën e parë. Është shprehur se shërbyesit civilë janë vetëm një votë larg rritjes së pagës.
“Të dashur mësimdhënës, shërbyes civilë, punëtorë të shtetit, ushtarë, policë, zjarrfikës, të gjithë ju që merrni paga nga shteti, ky mesazh është vetëm për ju. Jam zotuar që, në javën e parë, koeficienti i pagave të të gjithë shërbyesve të shtetit do të jetë 150 dhe asnjë ditë më shumë se kaq, do të marrim vendimin e parë qeveritar”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka kërkuar votën e qytetarëve për të realizuar premtimet që ka dhënë gjatë fushatës, të cilat ka thënë se janë edhe të realizueshme, edhe të nevojshme.
“Gjatë 30 ditëve të fundit kam bërë fushatë me premtime e zotime të bëshme, të matshme, mbi të gjitha të domosdoshme për familjet tuaja edhe për vetë fatin e Republikës suaj. Prandaj kam nevojë për mbështetjen tuaj, kam nevojë për shtytjen tuaj, që ta bëjmë ndryshimin e vërtetë”, ka thënë ai. Abdixhiku të martën ka takuar kryetarët e degëve të Lidhjes Demokratike. Në konferencën që pasoi mbledhjen, zëdhënësi i partisë, Besian Mustafa, ka njoftuar se tubimin përmbyllës të fushatës LDK-ja do ta organizojë të shtunën në Prishtinë.
Mustafa ka thënë se ky tubim do të jetë më i madhi organizuar ndonjëherë dhe do t’i prijë fitores.
“Tubimi përmbyllës i fushatës së LDK-së do të jetë këtë të shtunë në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë, nga ora 18:00. Do të jetë një tubim madhështor e ndër tubimet ose tubimi më i madh që kemi organizuar ndonjëherë. Dhe masiviteti i këtij tubimi reflekton energjinë dhe frymën e fitores së LDK-së, të nesërmen pra, në zgjedhjet më 9 shkurt”, ka thënë Mustafa.
Për këtë tubim Abdixhiku pati një kërkesë specifike në tubimin elektoral të Degës së Tretë të LDK-së në Prishtinë. Përveç mbështetjen me votë, ai ka kërkuar që tubimin në Prishtinë ta bëjnë më të madhin ndonjëherë.
“Festë po më 9 shkurt, por para 9 shkurtit duhet të bëjmë një festë të madhe të paparë. Më 8 shkurt sheshin ‘Skënderbe’ ta mbushim kaltër, ta bëjmë zi, të japim tubimin më të madh elektoral që ka parë Prishtina ndonjëherë”, është shprehur Abdixhiku.
Në këtë degë të partisë, Abdixhiku ka thënë se ka projekte konkrete për Prishtinën si asnjë parti tjetër. Ka përmendur disa nga zotimet prej 1.5 miliardësh që synon t’i investojë në Prishtinë po qe se fiton zgjedhjet.
“1.5 miliardë për Prishtinën, do të thotë se do të investojmë 360 milionë në unazën e jashtme plot 29 kilometra gjatësi. 200 milionë euro investim vetëm për shkollat e Prishtinës. Me 1.5 miliardë e kemi edhe spitalin ri prej 500 milionë eurove. Kemi qendrën e re sportive në Bërnicë, kemi parkun teknologjik mu aty afër. Kemi pra projekte konkrete për shëndetësi, për arsim, për sport, për teknologji, për infrastrukturë e gjithçka që i duhet Prishtinës”, ka thënë Abdixhiku.
Pretenduesi për kryeministër ka deklaruar po ashtu se fundi i fushatës do të sjellë fillimin e një pune të madhe që, sipas tij, do të nisë LDK-ja në nivelin qendror. Për partinë e tij qëllim ka thënë se është vetëm vendi i parë.
“Po i afrohemi fundit, por fundit të fushatës dhe fillimit të punës së madhe për Kosovën. Katër vjet më parë fituam në nivel lokal, është koha tash në shkurtin e 2025-tës të fitojmë prej së vërteti në nivel nacional. Po shkojmë vetëm për fitore, asgjë më pak, asgjë nuk kemi në tavolinë, nuk kemi qëllime të tjera, vendi i dytë, i tretë, i katërt, vendi i 500-të. Vendi i parë, fitorja është i vetmi qëllim yni”, ka theksuar ai.
Të martën Lidhja Demokratike e kandidati për kryeministër fushatën e kanë zhvilluar vetëm në Prishtinë.