Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po merr pjesë në një panel diskutimi të organizuar në margjina të Forumit Ekonomik të Davosit.
Nga atje, Kurti ka folur fillimisht për një “krizë të trefishtë” me të cilën tha se u përball prej kur mori pushtetin.
“Kanë qenë vite të mira, pavarësisht sfidave që kemi pasur që nga fillimi. Ka paur pandemi, një krizë që ndodhë një herë në shekull, kemi pasur dy kriza të tjera, inflacionin dhe krizën energjetike, për shkak të agresionit rus në Ukrainë, të dyja këto janë tipike që ndodhin një herë në gjysmë shekull. Ka pasur një krizë të trefishtë me të cilën jemi përballur, dhe kemi dalë fitues” – ka thënë ai, transmeton Nacionale.
Kryeministri ka përsëritur se gjatë mandatit të tij, qytetarët kanë shpenzuar më shumë se sa që anë kursyer.
Kjo madje sipas tij, ka kontribuar edhe në rritjen e ekonomisë.
“Në anën tjetër, besoj që qytetarët kanë shpenzuar më shumë se sa që kanë kursyer, për shkak të shpresës dhe optimizmit. Kanë konsideruar që e ardhmja është më e mire se e tashmja, e tashmja më e mirë se e kaluara. Kështu, ata shpenzuan jo vetëm se kanë pasur mundësi, por edhe se kanë shpresuar që mjete të reja do të arrijnë dhe do të mund t’i shpenzojnë në të ardhmen. Pra, shpenzon në të tashmen, kur mendon që mund të shpenzosh edhe në të ardhmen.
Pra në njëfarë mënyre, kjo ka rritur ekonominë tonë dhe ka ulur papunësinë” – u shpreh ai.