Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta kërkon në Gjykatën e Lartë revokimin e masës arrest me burg që është caktuar ndaj tij, pas hetimeve për lobimin e LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta kërkon në Gjykatën e Lartë revokimin e masës arrest me burg që është caktuar ndaj tij, pas hetimeve për lobimin e LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA. Avokati Genc Gjokutaj dorëzoi rekursin në Gjykatën e Lartë duke thënë se nuk ka prova për ta mbajtur Metën në burg.
“Kam dorëzuar rekursin ndaj vendimit që ka caktuar masën arrest në burg për zotin Meta. Kemi paraqitur të gjitha argumentet që nga ndalimi kriminal, pastaj për secilin episod, si lobimin në SHBA, për të cilin meta ka dhënë shpjegime në të cilën nuk ka asnjë penalitet. Është i sqaruar procesi për lobi, kemi sqaruar deklarimin e pasurisë që e ka bërë atë, pastaj edhe për CEZ-DIA, çështje që është bazuar mbi kallëzues të rremë dhe prova të marra në kundërshtim me ligjin. Duke mos pasur dyshim të arsyeshëm dhe as prova mbi këto 3 episode, i jemi drejtuar Gjykatës së Lartë për revokimin e masës arrest me burg”, tha avokati Gjokutaj.
Ndërkohë, i pyetur nga gazetarët, Gjokutaj pranoi se në argumentin e parashtruar në Gjykatën e Lartë, thonë se duhet revokuar masa arrest me burg pasi Meta është drejtues i PL dhe jemi në prag të fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
“E kemi bërë prezent këtë cilësi të tij, dhe kjo që thatë ju është një praktikë e shtuar, i referuar jurisprudencës së Strasburgut që ka një praktikë të uiniformizuar dhe në lidhje me subjekte të tilla, si Berisha e Meta. Arrestimi i tij është bërë për këtë shkak, pas 6 viteve që kanë pasur aktet nëpër duar që në kohën e gjykatës së krimeve të rënda, është paraqitur disa herë në Gjykatë dhe ka dhënë shpjegime. Meta edhe herën e fundit ka dhënë shpjegime. E kemi ngritur këtë argument”, vijoi avokati. /reporttv/