Energjia, transporti, sistemi bankar, tregjet financiare, shëndetësia, uji i pijshëm dhe ujërat e zeza, rrjeti digjital, administrata publike, si dhe prodhimi, përpunimi dhe shpërndarja e ushqimit janë sektorët që përbëjnë infrastrukturën kritike të Kosovës.
Kjo infrastrukturë është jetike për funksionimin dhe sigurinë e shtetit, si dhe të qytetarëve të tij.
Kosova ka ligj për mbrojtjen e saj, por disa ekspertë të sigurisë thonë se ai nuk zbatohet siç duhet, shkruan Evropa e Lirë.
Për Mentor Vrajollin, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), shtimi i masave është urgjent, në kohën kur kërcënimet, “si kibernetike, ashtu edhe terroriste”, janë rritur në nivel global.
Javën e kaluar, në kanalin e Ibër-Lepencit në veri të Kosovës – i cili furnizon me ujë disa qytete dhe termoelektrana të vendit – ndodhi një shpërthim i fuqishëm, i cili shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale.
Për pasojë, furnizimi i rregullt me ujë dhe energji elektrike u ndërpre për disa kohë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi Serbinë për këtë sulm, duke thënë se qëllim kishte t’i shkaktonte dëme të pariparueshme infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mohoi çdolloj përgjegjësie dhe e dënoi sulmin.