Kina tha se shpreson për “bashkekzistencë paqësore” me Shtetet e Bashkuara, pak kohë pasi republikani Donald Trump e siguroi fitoren në zgjedhjet presidenciale në ShBA.
“Politika e Kinës për ShBA-në është konsistente dhe e qartë. Ne i shohim dhe i trajtojmë marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara nën parimet e respektit të ndërsjellë, bashkekzistencës paqësore dhe bashkëpunimit me fitore të dyanshme” – tha të mërkurën zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Mao Ning, raporton televizioni CNN.
Zyrtarisht, qeveria kineze ka paraqitur qëndrim neutral ndaj zgjedhjeve, duke i quajtur “çështje e brendshme e Shteteve të Bashkuara”.
Ndërkohë, mediat shtetërore kineze janë munduar që zgjedhjet në ShBA t’i paraqesin si pasqyrë të përçarjeve të thella sociale dhe mosfunksionimit politik, në kohën e përshtypjes së gjerë në Kinë se pavarësisht kush fiton, marrëdhëniet e tensionuara dypalëshe nuk pritet të përmirësohen.