Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se shpreson të mos shtohen sanksionet e vendosura nga aleatët perëndimor ndaj Kosovës gjatë qeverisjes aktuale.
Në adresimin për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri ka thënë se uron që sanksionet të mos rriten deri më 9 shkurt, pasi sipas tij, pas kësaj date në krye të ekzekutivit do të jetë dikush tjetër.
Tahiri ka shtuar se Kosova edhe pas një viti që nga sulmi në Banjskë, vazhdon të jetë e izoluar, teksa Serbia nuk ka marrë asnjë ndëshkim lidhur me këtë rast.
“Nesër bëhen një vit prej kur ka ndodhur sulmi në Banjskë ku e kemi humbur heroin Afrim Bunjaku. Fatkeqësisht vendi ynë tash e një vit vazhdon të jetë i izoluar, vazhdon të jetë nën sanksione dhe në anën tjetër Serbia nuk e ka marrë as edhe një ndëshkim të vetëm sa i përket këtij sulmi. Fatkeqësisht vazhdojmë t’i kemi masat e njëjta në fuqi. Dëmet për Kosovën vazhdojnë të jenë të mëdha, e Serbia vazhdon të amnistohet. Lutemi që këto sanksione të mos rriten nga aleatët tanë deri më 9 shkurt”, është shprehur ai.