Nëse gjithçka shkon sipas rezultateve aktuale, Genc Metaj, pritet të jetë drejtori i ri në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, institucion brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Metaj me rezultatet e shpallura në qershor, pra gati 3 muaj më herët, kryeson listën për t’u bërë drejtor në këtë Agjenci, të cilën më herët e kishte udhëhequr Fadil Kodra.
Metaj nga testi me gojë dhe me shkrim ka grumbulluar 88 pikë, për dallim nga 73.4 që ka marrë Kastriot Lajqi. Në total, për këtë pozitë kishin qenë gjashtë kandidatë.
Genc Metaj është vëllai i deputetes së Vetëvendosjes, Shqipe Metaj-Isuf.
Pavarësisht se kanë përfunduar të gjitha ankesat në Këshillin Mbikëqyrës Civil, Metaj ende nuk është emëruar përfundimisht në këtë pozitë.
Ministria e Brendshme në një përgjigje për Nacionalen, nuk ka dhënë sqarime nëse ka pasur ndikime për ta emëruar Metajn në këtë pozitë. Megjithatë, ata kanë treguar se procesi është vonuar si rezultat i ankesave.
“Ju njoftojmë se Ministria e Punëve të Brendshme ka zhvilluar procedurat e rekrutimit për pozitën Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave. Pas zhvillimit të procedures rekrutuese, është shpallur Njoftimi për renditjen përfundimtare të kandidatëve më datë 12.06.2024. Në renditje përfundimtare të kandidatëve janë dy (2) kandidatë: Genc Metaj dhe Kastriot Lajqi. Për shkak se deri më tani ka pasur ankesa nga kandidatët aplikues, ende nuk është emëruar Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.
Nacionale ka dërguar pyetje edhe në adesën e deputetes Shqipe Metaj-Isufi, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje.
Genc Lajqi për një kohë të gjatë ka shërbyer në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Madje, duke u nderuar edhe me mirënjohje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në vitin 2016, Metaj ishte shpallur rreshteri më i mire në Akademinë prestigjioze të rreshter/majorëve në Amerikë.
Akademia e Rreshter Majorëve e Amerikës, e kishte vendosur (Foton-Biografinë) e Metajt në “Korridorin e Famës”.
“Korridori i Famës” për studentet ndërkombëtar është mirënjohje më e lartë për arritjet personale dhe për kontributin e dhënë në ngritjen, zhvillimin dhe avancimin e trupës së nënoficerëve.
Megjithatë, edhe në të kaluarën kur në pozita të larta emëroheshin njerëz të afërt me figurat e partive të tjera, Vetëvendosje nuk përtonte të drejtonte akuza, pavarësisht CV dhe të kaluarës së tyre profesionale. Sipas VV-së kur ishte në opozitë, emërimet e tilla ishin “kapje e shtetit”.
Pozitën e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave e kishte pasur Fadil Kodra. Fillimisht ky ishte shkarkuar nga kjo pozitë, për të cilën kishte raportuar Nacionale.
Vendimi ishte rrëzuar nga Këshilli Civil, ku si rezultat Ministria ishte detyruar ta kthente në punë Kodrën.
Më pas, Kodra kishte refuzuar t’i shërbente Qeverisë Kurti, në pozitën e drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Pejë.
Faton Fetahu, avokat i Fadil Kodrës, kishte treguar për gazetën Nacionale se klientin e tij nuk do ta pranojë këtë pozitë.
Ai ka thënë se Kodra më nuk iu beson kësaj qeveria dhe për këtë arsyeje ka vendosur ta ndërpres bashkëpunimin.
“Po, ju konfirmoj se pas fitores së dy betejave juridike ndaj dy vendimeve të Qeverisë (vendimit të parë të Ministrit të MPB dhe vendimit të dytë të Kryeministrit) me të cilat u vërtetua paligjshmëria e shkarkimit të z. Kodra, tashmë klienti im ka vendosur që të mos e pranoj vazhdimin e punës në shërbim të këtij pushteti ekzekutiv. Z. Kodra konsideron se, refuzimi për të mos pranuar këtë detyrë, është refuzim për t`ju nënshtruar pushtetit autoritar i cili tashmë ka dhënë prova të panumërta se ka urrejtje patologjike ndaj luftëtarëve të lirisë – UÇK-së – vlerës së shenjtë dhe më të lavdishme të populli”, ka thënë Fetahu.