Dy kompanitë e kontraktuara për lobim në SHBA nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës kanë kontaktuar, në shumicën e rasteve, të njëjtët politikanë amerikanë për të diskutuar për çështjet e njëjta në po të njëjtat ditë.
Avni Mustafaj – pronar i kompanisë Ambal LLC – dhe Afërdita Rakipi – pronare e kompanisë Afërdita Rakipi Communications – ishin kontraktuar individualisht, me nga 147 mijë euro, sipas kontratave të publikuara në ueb-faqen e Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA) të Departamentit amerikan të Drejtësisë.
Megjithatë, nga shkurti deri në fund të korrikut të këtij viti, ata kanë funksionuar sikur të ishin një kompani e vetme. Nga 13 kontaktet e raportuara nga Mustafaj, të gjitha janë identike me ato të raportuara nga Rakipi.
Përveç këtyre, Rakipi ka raportuar edhe dy kontakte shtesë – një takim më 11 mars dhe një takim më 24 maj.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Rakipin dhe Mustafajn lidhur me aktivitetet e tyre, por nuk ka marrë përgjigje prej asnjërit deri në publikimin e këtij artikulli.
Ata nuk janë përgjigjur as në të kaluarën, kur REL-i ka raportuar lidhur me shpenzimet e tyre nëpër restorante e hotele në Kosovë dhe për kontraktimin e tyre nga MPJD-ja, pavarësisht mungesës së përvojës në lobim.
Mustafaj dhe Rakipi janë kontraktuar nga MPJD-ja për lobim në SHBA më 26 qershor të vitit të kaluar. Kontratat e tyre njëvjeçare tashmë kanë skaduar. REL-i ka pyetur MPJD-në nëse kontratat e tyre janë vazhduar, por nuk ka marrë përgjigje.
Në korrik të vitit të kaluar, MPJD-ja ka thënë se nuk i komenton kontratat e lobimit “për arsye të kuptueshme”.
Megjithatë, kontratat, detajet lidhur me punën e bërë dhe shpenzimet e lobuesve në SHBA publikohen në ueb-faqen e FARA-s çdo gjashtë muaj.
Sipas këtyre dokumenteve, MPJD-ja pagoi kompanitë e Rakipit dhe Mustafajt plot 351.8 mijë dollarë – ku përfshihen edhe shpenzime shtesë, përveç shumës së paraparë në kontratat fillestare.
Në gjashtëmujorin e dytë të lobimit të tyre në SHBA, Rakipi dhe Mustafaj kontaktuan politikanë amerikanë kryesisht përmes emailit.
Megjithatë, dokumentet tregojnë se edhe gjatë kohës sa kanë lobuar përmes emailit, ata kanë raportuar shpenzime për fluturime dhe qëndrime nëpër hotele.
Për dallim nga gjashtëmujori i parë, kur Rakipi dhe Mustafaj kishin raportuar shpenzime të shumta për dreka dhe darka pune – përfshirë nëpër restorante në Prishtinë – këtë herë ata nuk kanë raportuar shpenzime për ushqim.
Ata kanë shpenzuar mijëra dollarë për fluturime, hotele dhe transport me taksi. Nga dokumentet e publikuara në FARA bëhet e qartë se Mustafaj sërish ka shpenzuar para gjatë qëndrimit të tij në Kosovë.