Presidenti i Francës, Emmanuel Macron qëndron sot në Serbi në një vizitë zyrtare dhe “Politika”, një gazetë e vjetër serbe, tash pjesërisht në pronësi të qeverisë, publikoi një shkrim autorial të tij. Aty kreu i shtetit francez bëri thirrje për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.
“Rruga drejt normalizimit ruan thelbin, mundësinë që serbët të jetojnë në Kosovë në përputhje me ligjin, por pa hequr dorë nga identiteti i tyre”, shkruan Macron.
Ai përmendi vitin 2019, kur kishte kërkuar kompromis “për çështjen e Kosovës”, ndërsa serbët veçanërisht tha se janë “viktimat kryesore” të lëvizjeve të njëanshme, deklaratave të pamatura e ngritja e tensioneve.
“Në vitin 2019, kur fola për çështjen e Kosovës, fola për guximin e nevojshëm për të arritur një kompromis. Të bindur se ky guxim ekziston në Serbi, ne, së bashku me Gjermaninë dhe partnerët tanë evropianë, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, donim ta ndihmonim rajonin t’i shmangte lëvizjet e njëanshme, deklaratat e pamatura, ngritjen e tensioneve, viktimat kryesore të të cilave janë njerëzit që jetojnë në terren, veçanërisht minoriteti serb në Kosovë”, shkroi ai.
Macron tha se propozimi franko-gjerman e ruan “mundësinë që serbët të jetojnë në Kosovë duke respektuar ligjin, por duke mos hequr dorë nga identiteti apo lidhjet e tyre natyrore me Serbinë; por edhe ekzistencën e garancive në lidhje me ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe”.
Ai e përmendi Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për themelimin e të cilit tha se mbetet i angazhuar personalisht, përcjell Gazeta Express.
“Kjo rrugë është e asfaltuar: çdo gjë që e ngadalëson përparimin në atë rrugë është në kurriz të njerëzve që jetojnë atje. Jam i bindur se ky kompromis është në përputhje me interesat e Serbisë dhe duke marrë parasysh ndjenjat e forta të serbëve për këtë çështje, duke i respektuar ata, ftoj Serbinë dhe të rinjtë në Serbi ta zgjedhin paqen dhe ta zgjedhin të ardhmen. Personalisht do të mbetem i angazhuar, pasi jam i sigurt se BE-ja në tërësi do të mbetet në zbatimin e Marrëveshjeve të Ohrit dhe para së gjithash në krijimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe”.
Duke e quajtur “partneritet real strategjik” bashkëpunimin që Franca po e ndërton me Serbinë, Macron shkroi se vizita e tij përbën “një mesazh besimi në të ardhmen e përbashkët” dhe e përshkroi atë si “mënyrën më e mirë për ta ushqyer dhe thelluar miqësinë tonë kaq të çmuar”.
Macron apeloi që Serbia ta bëjë një “angazhim vendimtar” për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, duke thënë se “ka shqetësime dhe lodhje, veçanërisht në lidhje me ritmin e negociatave të anëtarësimit, por ndonjëherë një lloj pakënaqësie, madje edhe mosbesimi në lidhje me Bashkimin Europian”, për të cilat tha se “e kanë burimin në historinë më të re dhe në kujtimet kontradiktore”.
Kujtimet, tha ai “nuk duhet t’i shpërqendrojnë qytetarët e Serbisë nga ajo që është e dukshme: vendi i tyre është në Europë, përkrah Francës – e cila kujdeset jo më pak se Serbia për veçantinë e historisë dhe kulturës së saj – në atë komunitet që është i vetmi vend ku do të jemi në gjendje të mbrojmë me të vërtetë vlerat që ndajmë”. Macron e quajti Serbinë “një vend të madh qendror të këtij rajoni që është i aftë jo vetëm të jetë ndërtuesi kryesor i së ardhmes së pajtimit dhe bashkëpunimit në rajon”.
“Unë po vij sërish në Serbi me një mesazh të thjeshtë: Bashkimi Europian dhe vendet anëtare të tij duhet ta kenë një Serbi të fortë dhe demokratike nën krahun e tyre, dhe Serbisë i duhet një Bashkimi Europian i fortë dhe sovran për t’i mbrojtur dhe promovuar interesat e saj, duke respektuar identitetin e saj”, shkroi presidenti francez.
Macron shkroi se Serbia i përket Europës “për nga gjeografia e saj”, por “më shumë se kaq, ajo i përket asaj për nga historia e saj”. Tha se Serbia “nuk duhet të frikësohet për identitetin dhe sovranitetin e saj duke u anëtarësuar në Bashkimin Europian”, sepse “ashtu si Franca, Serbia aspiron pavarësinë dhe sovranitetin që mund t’i sigurojë vetëm BE-ja, e cila ka mjetet e autonomisë së saj strategjike”.
“Historia e një kombi krenar që ka një identitet të fortë nga i cili nuk ka hequr dorë kurrë. Sot, shkëmbimet janë shumë më të pasura me vendet e Bashkimit Europian se sa me çdo vend apo grup vendesh. Shkëmbime ekonomike, natyrisht, nga të cilat gati dy të tretat janë realizuar me Bashkimin Europian, por edhe shkëmbime mes njerëzve, përmes pjesëmarrjes së Serbisë në programet “Erasmus Plus” dhe “Horizon Europe”. Në fushën e artit, Serbia tashmë po kontribuon në mënyrë të frytshme dhe krijuese në hapësirën kulturore europiane dhe mezi pres të zbuloj thesaret e koleksioneve të mrekullueshme të Matica Srpska gjatë vizitës sime”, shkroi Macron.
Ai tha se po zhvillohen edhe më shumë “marrëdhëniet, shkëmbimet dhe partneritetet” e Francës me Serbinë, dhe për argument përmendi “projekte të mëdha që përfshijnë kompani franceze të klasit të parë; Mbështetja e dhënë nga Agjencia Franceze për Zhvillim për punë të shumta në Serbi, veçanërisht në fushën e tranzicionit energjetik. E përmend edhe rinovimin e shkëmbimit tonë të mendimeve në nivel intelektual, gjë që u dëshmua nga pjesëmarrja e Francës si mysafire e nderuar në Panairin e Librit në Beograd para disa muajsh”.
Presidenti i Francës shkroi se “është koha ta shikojmë historinë së bashku pa paragjykime, në mënyrë që ajo të mos përfaqësojë më një pengesë, që është edhe sot, mes nesh dhe, aq më tepër, midis vendeve të rajonit, të cilat janë të ftuara të jenë të gjithë së bashku nën kujdesin e Bashkimi Europian”.
“Historianët e të gjitha vendeve tona – anëtare të BE-së dhe vendet kandidate, ndoshta mund të na ndihmojnë në këtë rrugë duke u angazhuar në punë kolektive për të”, shkroi Macron.