Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka folur për kontratat për lobim të Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës, me vlerë rreth 277 mijë dollarë, duke thënë se njerëzit e afër me pushtetin pëfituan nga kjo kontratë.
Azemi ka thënë se Kosova i ka dëmtuar raportet me ndërkombëtaret në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sipas tij, Qeveria e Kosovës në emër të lobimit po paguan individë të preferuar.
“277 mijë dollarë për lobim në SHBA iu dhanë nga Ministria e Punëve të Jashtme dy kompanive, në emër të dy individëve të afërt me qeverinë. Krahas kësaj, kjo dyshe ka deklaruar shpenzime shtesë prej mijëra eurove, kryesisht dreka e darka në Prishtinë”
“Çfarë lobimi është ky? Më kë u takuan në Kosovë këta njerëz që i pagoi shteti për të ndihmuar raportin e Kosovës me ShBA-në? Kujt i dhanë “këshilla strategjike”? Cili është rezultati i këtij lobimi që Kosovës i kushtoi qindra mijëra euro?.” – ka thënë Azemi.
Më tej, ai ka thënë se Kosova ka aktualisht përfaqësimin me të ulët më ndërkombëtar.
“Raportet e krisura nuk kamuflohen me kontrata lobimi për militantë. Është fatkeqësi që e ardhmja e raporteve tona me vendet mike është në duar të këtyre njerëzve të papërgjegjshëm.” – ka thënë ndër të tjera ai.