Vetëvendosje do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga presidentja Vjosa Osmani për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve, i cili do të mbahet nesër.
Zëdhënësi i VV’së, Arlind Manxhuka, i ka thënë Gazetës Express se në këtë takim pritet të shkojë nënkryetari i parë i partisë, Glauk Konjufca.
“LV do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Presidentja Osmani. Besoj që do të shkojë nënkryetari i parë i LV’së, Glauk Konjufca”, ka thënë Manxhuka.
Në këtë takim do të marrin pjesë edhe PDK, LDK dhe AAK. Prej AAK’së do të shkojë kryetari Ramush Haradinaj, prej LDK’së kryetari Lumir Abdixhiku, ndërsa prej PDK’së ende nuk është bërë e ditur se kush do të shkojë.
Zgjedhjet e fundit nacionale janë mbajtur më 14 shkurt 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje doli e para me më shumë se 50 për qind të votave, e dyta PDK, e treta LDK dhe e katërta AAK. /GazetaExpress/