Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, ka folur për rastin e Faton Hajrizit, kosovarit për të cilin autoritetet e Serbisë kanë thënë ta kenë vrarë, pasi ai dyshohet të ketë vrarë një polic në Serbi.
Haxhiu në emisionin “60 minuta”, të KTV-së, ka thënë se kishte alarmuar ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, duke i kërkuar që rasti të hetohet dhe të merren masat.
Ajo ka thënë se është njoftuar nëpërmjet task-force të formuar nga institucionet e sigurisë se prokurori në Mitrovicë s’kishte vepruar asgjë, duke u arsyetuar se ka punë të tjera.
Më tutje, ajo deklaroi se ka pasur një telefonatë nga Smrekonica dikush me Faton Hajrizin para se të arratisej.
“Jam alarmuar kur kam kuptuar se prokurori në Mitrovicë s’po merr veprime për shkak se ka punë të tjera. Kemi shkuar te Kryeprokurori Besim Kelmendi, kemi alarmuar se kemi rastin e Faton Hajrizit dhe se prokurori nuk po nxjerr aktvendim për fillim të hetimeve. Më pas ka pasur lëvizje nga prokurori. Ka pasur një telefonatë nga Smrekonica nga dikush me Faton Hajrizin para se të arratisej. Institucioneve gjegjëse iu është dashur numri kontaktues dhe prokurori s’ka lejuar që të japë qasje në listën e numrave të telefonit. Është dashur të veprojmë ne që të hapen rrugë”, ka shtuar Haxhiu.
Haxhiu ishte intervistuar nga Prokuroria për një deklaratë që thotë se nuk e ka thënë ashtu “kontrollimi i burgjeve nga Serbia”.
Ajo tha se nuk e ka dhënë asnjëherë një deklaratë të tillë, por organet gjegjëse sugjerojnë ashtu.
“Unë s’kam thënë se Serbia ka ndikim në burgjet e Kosovës, por organet gjegjëse sugjerojnë ashtu. Kush do ta kuptojë ashtu, unë s’kam çfarë t’i bëjë. Mendoj se është e rëndësishme që institucionet si prokurori të jetë në në komunikim të plotë me AKI-në. Aty ku ka pasur bashkëpunim kemi pasur suksese, rasti me spiunazhin është i fundit…Unë kam thënë se informacionet e organeve tona në disa raste janë që këto arratisje nga burgje janë cytur nga grupe kriminale. Në rastin e fundit, ende ka diskutime nëse është vrarë ose jo. Rasti ka ndodhur në prag të nënshkrimit të kontratave të litiumit në Serbi, e vendi i vrasjes së policit ku ka ndodhur është 9 kilometra nga vendi ku planifikohet të ndërtohen minierat. Ka pasur paralajmërime për protesta, e kur ka ndodhur ky rast, është izoluar lokacioni dhe s’ka pasur mundësi të ketë reagime”, ka deklaruar Haxhiu.