Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu Shoshi, e ka cituar ish-kryetarin e partisë, Kadri Veseli, kur ka thënë se “Albin Kurti do ta sjellë Serbinë në Kosovë”.
“Fraza e kryetarit Kadri Veseli, thënë në parlamentin e Kosovës se “Albin Kurti do ta sjellë Serbinë në Kosovë” nuk është më veç një parashikim fatkeq për shkak të njohjeve të Veselit”, shkroi ajo.
Këtë ndërlidhje e ka bërë pasi sot Këshilli i Bashkimit Evropian mori vendim për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.
Vendimi u mor në nivel të ministrave të Jashtëm në mbledhjen e fundit të këtij semestri.
“Me vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për të njohur pasaportat ilegale të Serbisë që i lëshon për serbët e Kosovës, ku Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë, tashmë kemi të bëjmë me një fakt. Qeveria e Kosovës, me politika anti-kombëtare dhe mungesë të skajshme kompetence ka mundësuar, thënë edhe nga vetë ata, “ndërhyrje në sovranitet të shtetit””, tha Musliu Shoshi.
“Nuk ka më kohë, kjo qeveri duhet të ndalet me çdokush. Dëmet janë çdo ditë e më të pariparueshme”, përfundoi deputetja e PDK-së.