Kryenegociatoi i Kosovës në dialogun me Serbinë Benik Bislimi, të martën do të takohet në Bruksle me kryenegociatorin e Serbisë Petar Petkoviq.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano. Ai ka thënë se Bislimi e Petkoviqi janë ftuar në takim nga emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak.
Ai ka thënë se palët do të diskutojnë për rrugën përpara për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut.
Ai ka thënë se presin nga të dyja palët që të zbatojnë të gjitha detyrimet që kanë marrë nga marrëveshjet e arritura.
“Siç e kemi thënë edhe shumë herë më parë, presim që të dyja palët të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre përkatëse të dialogut pa ndonjë vonesë të mëtejshme apo parakushte”, ka theksuar Stano.
Këshilltari i Bislimit Klisman Kadiu ka thënë se tema të diskutimit pritet të jenë ecuria e dialogut, zbatimi i Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit si dhe vlerësimi i marrëveshjeve të tjera teknike dhe masa e zbatimit të tyre. “Kosova mbetet konstruktive dhe e angazhuar pozitivisht në një proces, i cili përkundër vullnetit tonë, është pasuar me bllokada dhe refuzime të shpeshta nga pala tjetër. Marrëveshjet duhet të zbatohen në plotni e qasja të jetë e barabartë për të dyja palët”, ka theksuar Kadiu.
Javën që shkoj përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell si dhe përfaqësuesit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, kanë takuar ndaras kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pas takimeve dypalëshe ishte paralajmëruar se do të mbahej një takim trepalësh por ai nuk ndodhi.
Përpos, dorëzimit të përgjegjësit të sulmit të Banjskës Milan Radoiçiqit dhe përgjegjësve të tjerë, kryeministri, Albin Kurti, kushtëzoi takimin me presidnetin e Serbisë Aleksandar Vuçiq edhe me nënshkrimin e marrëveshjeve, dhe me tërheqjen e letrës së ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiq, me të cilën Serbia deklarohet se nuk do t’i zbatojë disa pika të marrëveshjes bazë.