Ushqimet ultra të përpunuara (ultra-processed foods – UPF) po i zëvendësojnë dietat e shëndetshme “në të gjithë botën” pavarësisht provave në rritje të rreziqeve që ato paraqesin dhe duhet të shiten me paralajmërime të stilit të duhanit, sipas shkencëtarit të ushqimit që e shpiku i pari këtë term.
Profesor Carlos Monteiro i Universitetit të São Paulos do ta theksojë rrezikun në rritje të UPF-ve për fëmijët dhe të rriturit në Kongresin Ndërkombëtar për Obezitetin këtë javë, raporton The Guardian.
“UPF-të po dominojnë dietat globale, pavarësisht rrezikut që ato përfaqësojnë për shëndetin në drejtim të rritjes së rrezikut të sëmundjeve të shumta kronike”, tha Monteiro për gazetën britanike përpara konferencës në São Paulo.
“UPF-të po i zhvendosin ushqimet më të shëndetshme, më pak të përpunuara në të gjithë botën, dhe gjithashtu shkaktojnë një përkeqësim të cilësisë së dietës për shkak të disa atributeve të tyre të dëmshme. Së bashku, këto ushqime po e nxisin pandeminë e obezitetit dhe sëmundjeve të tjera kronike të lidhura me dietën, siç është diabeti”.
Paralajmërimi i ashpër vjen mes rritjes së shpejtë të konsumit global të UPF-ve si drithërat, pijet me gaz, ushqimet e gatshme dhe ushqimet e shpejta, përcjell Gazeta Express.
Në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA, më shumë se gjysma e dietës mesatare tani përbëhet nga ushqime ultra të përpunuara.
Në shkurt, rishikimi më i madh në botë i këtij lloji zbuloi se UPF-të ishin të lidhura drejtpërdrejt me 32 efekte të dëmshme për shëndetin, duke përfshirë një rrezik më të lartë të sëmundjeve të zemrës, kancerit, diabetit të tipit 2, shëndetit të pafavorshëm mendor dhe vdekjes së hershme.
Monteiro dhe kolegët e tij përdorën për herë të parë frazën UPF 15 vjet më parë kur hartuan sistemin e klasifikimit të ushqimeve “Nova”. Kjo vlerëson jo vetëm përmbajtjen ushqyese, por edhe proceset që i nënshtrohet ushqimit përpara se të konsumohet.
Sistemi i vendos ushqimet dhe pijet në katër grupe: ushqime të përpunuara minimalisht, përbërës të përpunuar të kuzhinës, ushqime të përpunuara dhe ushqime ultra të përpunuara.
Monteiro i tha Guardian se tani është aq i shqetësuar për ndikimin që UPF ka në shëndetin e njeriut, sa që studimet dhe rishikimet nuk ishin më të mjaftueshme për ta paralajmëruar publikun për rreziqet shëndetësore.
“Fushata të shëndetit publik nevojiten si ato kundër duhanit për t’i frenuar rreziqet e UPF-ve”, i tha ai gazetës në një email. “Fushata të tilla do të përfshinin rreziqet shëndetësore të konsumit të UPF-ve”.
Ai do t’iu thotë delegatëve: “Shitjet e UPF-ve në shkolla dhe objekte shëndetësore duhet të ndalohen dhe duhet të ketë taksa të rënda për UPF-të, me të ardhurat e krijuara të përdorura për të subvencionuar ushqimet e freskëta”.
Ai gjithashtu do të bëjë paralele mes UPF-ve dhe kompanive të duhanit. “Si duhani dhe UPF-të shkaktojnë sëmundje të shumta serioze dhe vdekshmëri të parakohshme”.