Pushteti ka filluar të tallet me LDK-në dhe AAK-në, të cilat kanë refuzuar propozimin për shpërndarjen e Kuvendit si rrugë për të çuar vendin në zgjedhje të reja.
Përfaqësuesit e VV-së janë habitur me veprimin e dy partive opozitare.
Ata kanë bërë me dije se refuzimi i LDK-së dhe AAK-së për të ia ndërpre mandatin qeveria aktuale tregon se ata janë të kënaqur me Qeverinë Kurti.
Sipas tyre, veprimet e këtyre partive janë absurde.
I pari talljen e ka filluar zëdhënës i VV-së, Arlind Manxhuka.
Ai ka theksuar se me refuzimin e zgjedhjeve këto dy parti e kanë konfirmuar se janë të kënaqur me Qeverinë Kurti.
“Qysh prej 100 ditëshit të parë të Qeverisë kishin kërkuar e paralajmëruar zgjedhje. Thanë nuk janë të kënaqur me qeverisjen dhe se ishin edhe ata të dëshpëruar me neve. Por siç duket 1000 ditët që pasuan në qeverisje ia ndryshuan mendje opozitës. Ata sot e konfirmuan që janë të kënaqur me Albin Kurtin kryeministër. Puna vazhdon, puna e mbarë Albin Kurti”, ka shkruar Manxhuka në profilin e tij në “Facebook”.
Deputeti i VV-së, Dimal Basha, është treguar edhe më i ashpër me LDK-në dhe AAK-në.
Tallja e tij ka shkuar deri aty sa ka imagjinua një bisedë në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe dy partive opozitare.
“LDK & AAK: Qeveria ma e keqe që kemi pas! Duhet zgjedhje patjetër që me pru një qeveri të re!
Albini: Ani a po doni shkojmë në zgjedhje? LDK & AAK: Ja jo, veç ti nëse ki qef me hjek dorë! Albin: Po unë s’po ankohem për qeverinë time, ju po thoni duhet zgjedhje! LDK & AAK: Kemi ba hajgare, rri se shumë mirë o ka shkon! Albini: Faleminderit, vazhdojmë!”, ka shkruar ai.
Ndërsa, zëvendësministri i Financave, Avni Zogiani, veprimin e LDK-në dhe AAK-së e ka cilësuar si absurditet.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se është e pakuptueshme që dikur që kritikon ashpër qeverinë t`i refuzoi zgjedhjet.
“Mirmjes me teatrin absurd te opozites: Duhet te kthehet vendim-marrja te qytetari; Po na prishe me aleatet strategjik; Eshte i rekrutuar nga Serbia ne burg(!); Sa me pare qe te shkoje me mire per qytetarin e Kosoves! Ok, hajde shkojme ne zgjedhje pra, se puna qenka keq, Kosova qenka e rrezikuar! Jo ne zgjedhje s’ben! Dmth nese opozita i thote te gjitha keto dhe nuk e shfrytezon rastin me e heq kete pushtet te rrezikshem, qenka tu mendu krejt te kunderten, e veç po ben kot kishe po kryejme rolin e opozites!”, ka shkruar Zogiani.
Ezaurohet mundësia e shpërndarjen së Kuvendit
Këto tallje të pushtetit me dy partitë opozitare kanë filluar pasi ka përfunduar koha optimale për shpërndarjen e Kuvendit, propozim ky i ardhur nga PDK-ja.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, dje ka njoftuar se mundësia për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme tashmë është ezauruar.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se thirrja dhe propozimi i PDK-së për koordinim mes partive më të mëdha politike lidhur me këtë proces nuk e ka gjetur mbështetjen e nevojshme.
“Unë mund të hamendësoj për arsyet e gatishmërisë deklarative së partisë në pushtet për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, por vërtetë jam i habitur nga mosgatishmëria e partive opozitare për ta bërë një gjë të tillë, sepse mos shkuarja në zgjedhe efektivisht po ia zgjatë mandatin pushtetit aktual. Më lejoni të ritheksoj se Partia Demokratike e Kosovës ka qenë dhe është gjithmonë e gatshme për cilindo variant që mundëson zgjedhje të parakohshme dhe largimin e kësaj Qeverie”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka bërë me dije mundësi reale në tavolinë ishte vetëm shpërndarja e Kuvendit.
“Prandaj, duke parë nevojën e madhe që vendi të shkoj në zgjedhje, për ne kishte më shumë rëndësi qëllimi sesa mënyra. Gjatë kësaj periudhe, PDK ka dëshmuar seriozitetin e saj për t’i dhënë fund keqqeverisjes dhe gatishmërinë e saj për zgjedhje të parakohshme në shumë raste. Këtë e dëshmuam edhe kur nominuam si kandidat për Kryeminsitër Bedri Hamzën me 27 mars të këtij viti. Këtë e dëshmuam edhe të premten, me 24 maj, kur PDK u paraqit në sallën e Kuvendit për t’iu përgjigjur rezolutës së AAK-së për shkarkimin ose dorëheqjen e Qeverisë. Këtë e ridëshmuam për të satën herë edhe përmes letrës së fundit që u dërgova kryetarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”, është shprehur Krasniqi.
LDK-ja dhe AAK-ja kanë refuzuar propozimin e PDK-së për shpërndarjen e Kuvendit si rrugë për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Këto dy parti opozitare kanë bërë me dije se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja vetëm përmes dorëheqjes së Qeverisë Kurti apo rrëzimit të saj me mocion të mosbesimit.
Kryeministri Albin Kurti ka refuzuar të jap dorëheqje, ndërsa është shprehur i gatshëm që Kuvendit të shpërndahet me marrëveshje politike në mes të partive politike parlamentare.