14 persona janë lënduar nga shpërthimi i një bombole të gazit në fshatin Kçiq të Mitrovicsë. Shkaqet e shpërthimit ende nuk dihen dhe se të lënduarit po trajtohnen në QKUK, ku disa prej tyre janë të lënduar rëndë. Çka dihet deri më tani për këtë rast?
Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka bërë të ditur se në të shtunën në ora 16:35 ka ndodhur një shpërthim i bombolës së gazit në fshatin Kçiq të Mitrovicës.
Për pasojë kanë mbetur të lënduar 14 persona dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Deri më tani, sipas policisë, ende nuk dihen shkaqet e shpërthimit, por bombola ka shpërthyer në bodrumin e shtëpisë.
“Katërmbëdhjetë persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në bodrumin e shtëpisë ku po qëndronin. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Shkaqet e shpërthimit ende nuk dihen. Përveç të lënduarve si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale. Në vendin e ngjarjes përves njësive të nevojshme policore kanë dalë edhe zjarrfikësit dhe eksperti i zjarrit. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente.” – thuhet në raportin 24 orësh të PK-së.
Për gjendjen e tyre shëndetësore detaje ka dhënë edhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), të cilët kanë bërë për gjendjen e të lënduarve.
Sipas SHSKUK-së, katër persona janë operuar ndërsa katër të tjerë janë në mjekim intensiv për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
“Katërmbëdhjetë pacientët që kanë pësuar lëndime nga djegiet, nga bombola e gazit dhe 1 me lëndime në gjoks, në fshatin Kçiq të Mitrovicës, pas trajtimit në Klinikën Emergjente të QKUK-së, janë transferuar për mjekim të mëtutjeshëm në klinika të ndryshme të QKUK-së.”
“Katër nga ta janë operuar në sallat emergjente, kurse tek të tjerët janë kryer ndërhyrje në sallën e vogël të ndërhyrjeve kirurgjike, Shërbimin e Reanimimit dhe atë Kirurgjik, të po kësaj klinike. 4 pacientë janë transferuar për mjekim të mëtejshëm në Mjekimin Intensiv Qendror, meqë kanë gjendje më të rënduar shëndetësore nga djegia.” – thuhet në njoftimin e tyre.
Më tej, SHSKUK ka treguar edhe për gjendjen e personave të tjerë të lënduar nga ky rast.
“8 pacientë janë transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, ku po e vazhdojnë trajtimin dhe mbikqyrjen nga stafi shëndetësorë. 2 në Kirurgjinë Abdominale dhe 1 do të transferohet në Kirurgji Torkale.” – ka njoftuar SHSKUK-ja.
Ndërkohë, të shtunën mbrëma, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar në QKUK të lënduarit nga fshatin Kçiq të Mitrovicës.
Ai ka thënë se disa nga persona janë të lënduar lehtë por ka të lënduar edhe rënë me djegie të shkallës së dytë e të tretë.
Kurti ka kërkuar që “qytetarët dhe familjet duhet të kenë shumë vëmendje te blerja dhe përdorimi i sigurt i gazit, gjithnjë sipas rregullave strikte, për shtëpitë dhe lokalet e tyre”.
“Nuk është aksidenti i parë i këtillë, qytetarët dhe familjet duhet të kenë shumë vëmendje te blerja dhe përdorimi i sigurt i gazit, gjithnjë sipas rregullave strikte, për shtëpitë dhe lokalet e tyre. Ndërkaq inspektoriatet dhe organet tjera përkatëse të mbikëqyrin rreptë respektimin e standardeve të duhura të bombolave të gazit në treg.” – ka shkruar ndër të tjera ai.
Në anën tjetër, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se 15 anëtarë të një familje kanë pësuar djegie si pasojë e shpërthimit të një bombole me gaz në një shtëpi në Kçiq të Mitrovicës.
Vitia poashtu konfirmoi se një nga të lënduarit ka pasur lëndime edhe në gjoks.
”Të lënduarit nga shpërthimi i bombolës së gazit në fshatin Kçiq të Mitrovicës janë trajtuar sot gjatë ditës në spitale e QKUK. Ata, 15 anëtarë të familjes, pësuan djegie e një pati lëndime në gjoks. Ende jemi në Klinikën Emergjente në QKUK, bashkë me mjekët, infermierët dhe stafin tjetër. Të gjithë ishin e ende janë në mobilizim e angazhim të lartë prej shumë orësh. Po ofrohet kujdesi i plotë e profesional për të lënduarit.” – ka shkruar ai në Facebook.
Për këtë rast ka reaguar edhe kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, i cili ka thënë se “është një moment shqetësues dhe i dhimbshëm”, teksa ka uruar shërimin sa ma të shpejtë të familjes.