Përveç shumë temave të tjera, pushteti e opozita kanë gjetur edhe një temë për t’u përplasur keq. Tash, ata nuk po pajtohen për datën e zgjedhjeve.
Debati në distancë nisi që nga dita e djeshme kur pushteti po insiston që zgjedhjet të mbahen më 16 shkurt, kurse opozita më 26 janar. Kjo në mënyrë që, sipas tyre, t’i shkurtohet sa më shumë afati qeverisës pushtetit.
Për PDK-në, data ideale e zgjedhjeve është 26 janari.
“Sot, në takim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetarët e partive tjera parlamentare në Kosovë, kam propozuar 26 janarin e vitit 2025 si datën optimale kur duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta nacionale në vendin tonë. Partia Demokratike e Kosovës, duke parë keqqeverisjen e deritanishme, ka kërkuar disa herë zgjedhje të parakohshme. Meqë zgjedhjet e parakohshme nuk ndodhën, për zgjedhjet e rregullta nuk ka nevojë të ketë shtyrje të pajustifikueshme – prandaj data e parë e vlefshme duhet të jetë data kur ne duhet të shkojmë zgjedhje”, shkruante Krasniqi.
26 janarin si date për zgjedhje, po e kërkon edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Meqë, sipas përcaktimeve të afateve kushtetuese, në dispozicion na u ofruan katër data, ato të 26 janarit, 2 shkurtit, 9 shkurtit e 16 shkurtit; dhe në vijë me bindjet politike të Lidhjes Demokratike – se vendit i duhet sa më parë një Qeveri e re, që parandalon zhbërjen e shtetit, shëron polarizimin shoqëror, rikthen orientimin pro-perëndimor e fokusohet në zhvillim e mirëqenie qytetare, propozova datën 26 janar 2025 si datë të zgjedhjeve të ardhshme. Zgjedhjet për LDK-në janë gjithmonë festë!”, shkruante kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Në të njëjtën linjë ishte edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Sot në takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme në Republikën e Kosovës, propozova që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 26 Janar 2025. Kjo është data e parë në përputhje me afatet ligjore. Të njëjtin qëndrim e shprehën edhe partitë tjera opozitare. Partitë e pakicave joserbe u shprehën të gatshme të pranojnë datën e shumicës, apo datën që e përcakton Presidentja. Vetëvendosje dhe Lista Serbe, nuk morën pjesë në takim”, shkroi Ramush Haradinaj.
Megjithatë, “komisarja” e VV-së, Dejona Mihali, e nisi fushatën e mospajtimit me këtë datë. Këtë e arsyetoi me festat e fundvitit.
“Interesant çfarë opozite. Po dëshirojnë të fillojnë fushatë zgjedhore me 24 dhjetor. Një ditë para krishtlindjeve. Dy javë para vitit të ri të bëjnë fushatë. E me 26 janar të jenë zgjedhjet. Me siguri shumë ekspertë e profesorë që kanë brenda e jashtë kryetarët aktual e kanë analizuar gjatë këtë temë. Dhe kanë dalë në konkluzion që fushata më e mirë është për pushime të vitit të ri. Kjo është pikërisht një nga ato temat që më mirë kur i thotë Vlora Çitaku dhe Hykmete Bajrami. Nejse edhe Ramush Haradinaj se dhe AAK e ka këtë kur kanë me thënë nga ato gjërat që skuqen të gjithë nga turpi”, ka shkruar Mihali.
Këtë fushatë e vazhdoi edhe deputeti i VV-së, Driton Hetemi.
”Konsideroj që sa më afër pranverës ne do të kemi kushte më të mira atmosferike dhe data e fundit që e parasheh ligji që të kemi proces zgjedhor 16 shkurti do jet data me optimale duke marre per baze edhe ate historikun e kushteve atmosferike që janë në Kosovë pra per ta evituar periduhen e janarit por duke evituar edhe periudhen e festave te fundit vitit mos te jemi te ngakruar me fushta zgjedhore dhe mos ti lem rehat qytetaret ta festojen vitin e ri apo edhe festat tjera te fund vitit”, tha Hyseni për RTV21.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dje deklaroi se e ka një datë të preferuar, megjithatë nuk e tregoi atë.