Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, në 25 vjetorin e ndërhyrjes së NATO’së në Kosovë, ka thënë se ndjehet përjetësisht falenderuese ndaj tyre.
“Si sot, 25 vite më parë, NATO ndërhyri ushtarakisht, në mbrojtje të popullit të Kosovës, dhe përpjekjeve tona për dinjitet dhe liri”, u shpreh ajo.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se dita e nisjes së bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999 është “moment historik për popullin tonë”.
Krasniqi shkroi se sot “Kosova qëndron si një testament i fuqisë së unitetit, guximit dhe qëndrueshmërisë së botës demokratike”.
Postimi i Memli Krasniqit:
Sot, shënojmë 25 vjetorin e intervenimit të NATO-s në Kosovë, një moment ky historik për popullin tonë.
Nga 24 marsi i vitit 1999, për 78 ditë me radhë, bombardimet e NATO-s ndalën gjenocidin serb në Kosovë dhe i hapën rrugë fitores tonë përfundimtare, bashkë me burrat dhe gratë e UÇK-së, në realizimin e përpjekjeve të gjata të popullit tonë për liri dhe pavarësi.
Sot, derisa shikojmë përparimin që kemi bërë si vend, sfidat nëpër të cilat kemi kapërcyer dhe ëndrrat që kemi realizuar në ndërtimin e një shteti – ne rikujtojmë miqtë tanë të shtrenjtë që ishin aty për ne në orët tona më të errëta.
Prandaj, mirënjohja për forcat e NATO-së, të prira nga SHBA-të, është e përherhshme dhe e paharruar. Sot, Kosova qëndron si një testament i fuqisë së unitetit, guximit dhe qëndrueshmërisë së botës demokratike.
Është për keqardhje që ky jubile kaq i rëndësishëm, që ka përcaktuar të ardhmen e shtetit dhe popullit tonë, e gjenë Kosovën pa një manifestim zyrtar institucional. Një tjetër veprim i gabuar i këtij pushteti, që shpërfaq mendësinë shpërfilëse dhe mosmirënjohëse ndaj aletatëve tanë të përhershëm.
Megjithatë, nga zemra, duke uruar që shumë shpejtë të jemi edhe ne pjesë e saj, për aleancën e NATO-s kemi vetëm një fjalë: Faleminderit!