Dhjetë raste me tuberkuloz janë hospitalizuar dhe po trajtohen aktualisht në Klinikën e Pulmologjisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Derisa në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë paraqitur 108 raste me tuberkulozë në këtë klinikë, numër ky i njëjtë me po këtë periudhë të vitit të kaluar.
Drejtori i Pulmologjisë, Musa Hoxha, në një intervistë për KosovaPress thotë se deri në qershor të këtij viti janë paraqitur 84 raste me tuberkulozë pulmonare, 20 me ekstrapulmonare dhe 4 të tjera me atë latete.
“Sa i përket numrit të rasteve të reja me tuberkulozë të cilat janë mjekuar në Klinikën e Pulmologjisë, pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, kemi pasur 84 raste tuberkulozë pulmonare, 20 raste me tuberkulozë ekstrapulmonare dhe 4 raste tuberkulozë latete. Të gjitha bëjnë diku si shifër rreth 108 raste. Edhe në vitin 2023 (gjashtëmujorin e parë, koincidon që të jetë po i njëjti numër, vetëm që dallon në aspektin e tuberkulozës pulmonare kanë qenë 92 raste, 12 raste tuberkulozë ekstrapulmonare dhe 4 raste latete, por që gjithsej bëjnë po i njëjti numër 108 raste”, thotë Hoxha.
Hoxha potencon se në Klinikën e Pulmologjisë aktualisht po trajtohen 10 raste me antituberkularë.
Ai tregon se që nga paslufta janë të furnizuar me barna për mjekimin e tuberkulozës.
“Aktualisht në Klinikën tonë janë duke u mjekuar me antituberkularë 10 raste në repartin B. Momentalisht nuk është numri i madh të cilët janë duke u mjekuar, në përgjithësi sa i përket rasteve, nuk janë raste shumë të rënda…Në përgjithësi gjatë tërë pasluftës, duke iu falënderuar CDF dhe Fondit Global gjithmonë kemi qenë të furnizuar me antituberkularë me kohë, edhe tani kemi sasi të mjaftueshme të antituberkularëve për mjekimin e të sëmurëve me tuberkulozë”, potencon Hoxha.
Ndër të tjera, Hoxha thekson se Klinika e Pulmologjisë viteve të fundit ka probleme me numrin e vogël të shtretërve. Po ashtu, ai e shpreh si të nevojshme rritjen e numrit të infermierëve për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve.
“Klinika e Pulmologjisë viteve të fundit vazhdimisht ka telashe sa i përket numrit të shtretërve. Vetëm dy muajt e verës, korrik dhe gusht që jemi të relaksuar sa i përket shtretërve të lirë, kurse gjatë muajve të tjerë të vitit jemi të mbingarkuar dhe thuajse jemi qind për qind me pacientë të shtruar në klinikën tonë…Edhe sa i përket stafit të mesëm gjatë tërë kohës, edhe pandemisë së Covidit, kemi pasur nevoja të vazhdueshme për numrin më të madh të stafit të infermierëve. Po ashtu edhe tash vazhdimisht kemi pasur nevojë për numër më të madh të stafit të infermierëve, në krahasim me numrin e shtretërve dhe volumin e punës dhe ngarkesës”, shprehet Hoxha.
Tuberkulozi është një sëmundje infektive kronike, që prek kryesisht mushkëritë. Agjenti shkaktar i tij, mykobakteri i tuberkulozit, ose bacili Koh, transmetohet nga spërklat e pështymës ose të gëlbazës, kur personi i infektuar flet, teshtin ose kollitet.